Shtatë ekspertët nga shoqëria civile janë dorëhequr nga Grupi Punues për procesin e vettingut.
Letra e tyre e dorëheqjes i është dërguar të mërkuren Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi. Ajo është nënshkruar prej ekspertëve nga shoqëria civile: Ariana Qosaj Mustafa, Arton Demhasaj, Arbëresha Loxha, Ehat Miftaraj, Fisnik Korenica, Kreshnik Gashi, Kujtim Kërveshi, transmeton KOHA.
“Javën e kaluar ne kemi pranuar një email nga Drejtori i Zyrës Ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, z. Adrian Bajraktari, ku ndër të tjera ne informohemi se Ju si Ministër i Drejtësisë keni vendosur të themeloni një grup të ri punues për tu miratuar në Qeveri lidhur me hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në Sistemin e Drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies, duke mos përjashtuar edhe procesin e vettingut”, shkruan në letrën e tyre të dorëheqjes.
Koncepti dhe qëllimi origjinal i idesë për të hartuar skenarët mbi elementet e reformës së vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, sipas tyre, është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë.
“Qëllimi i grupit të ekspertëve asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është të jetë servis i partive politike, por qëllim i pastër për të ofruar ekspertizën dhe njohuritë tona lidhur më këtë fushë kaq të rëndësishme për sundimin e ligjit në Kosovë. Dhe që në fund do të mund të përkthehej në një dokument, i cili do të ishte pikë nisje për Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për të marr vendime që iu takojnë në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit, për të pastruar sistemin e drejtësisë, dhe për të ngritur integritetin personal dhe institucional të akterëve kyç në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, shkruajnë ata.