Si u shpenzuan kot 176 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë, sipas Auditorit?

Plot 176 mijë euro të taksapaguesve janë shpenzuar kot nga Ministria e Bujqësisë, në një tender që kishte synim përkrahjen e fermerëve kosovarë. Kështu konstaton Auditori i Përgjithshëm në raportin e auditimit për këtë ministri të vitit 2019.

Për tenderin ishte angazhuar kompani private, ani pse ministria ka kapacitete dhe staf për t’i kryer vetë këto punë, përcjellë Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

“Kontrata “Përkrahja e Fermerëve për analiza të tokës, trajnime, këshillime dhe rekomandime për rezultatin e analizave të tokës” ishte nënshkruar me datë 22.06.2018 në vlerë 176,199€ me një operator ekonomik, përkundër faktit që analizat e tilla mund të realizohen nga Instituti Bujqësor i Kosovës që operon në kuadër të ministrisë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kjo kishte ndodhur për shkak të vendimit të gabuar të menaxhmentit të MBPZHR-së për kontraktimin e kryerjes së këtyre shërbimeve.

Sipas Auditorit, mos shfrytëzimi i resurseve njerëzore dhe teknologjike të cilat posedon Instituti Bujqësor dhe lidhja e kontratave me operator ekonomik privat ndikon në shpenzimin e pa arsyeshëm të fondeve buxhetore.

“Ministri duhet të shqyrtoj arsyet dhe nevojën për prokurimin e shërbimeve të cilat ka mund t’i kryej vet IBK-ja, si dhe të siguroj se para inicimit të çdo aktiviteti të prokurimit, merret parasysh neni 9.4 i LPP-së në mënyrë që të mos kontraktohen jashtë shërbimet të cilat mund t’i kryejnë organet/institutet që operojnë brenda vet ministrisë”. /Buletini Ekonomik/