Sipas OECD-esë dhe Gallupit, shqiptarët më jetëgjatët në rajon

Një ditë më parë, “Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim” (OECD) publikoi një raport të detajuar i cili skanon arritjet e çdo vendi në pothuajse çdo fushë, nga ekonomia, tek drejtësia, korrupsioni, mirëqeverisja dixhitale, shëndetësia, arsimi e shumë të tjera.

Në përpilimin e raportit, OECD është mbështetur në tre burime të dhënash. Në të dhënat e grumbulluara në mënyrë të pavarur, statistikat zyrtare si dhe në sondazhet e kompanisë “Gallup International”, që analizon perceptimin publik për shumë elementë kyç.

Duke vlerësuar ndryshimet 10-vjeçare, në fushën e shëndetësisë, OECD vlerëson se:

Reklama e sponzorizuar

“Në vitin 2019, mesatarisht 52% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor raportojnë se janë të kënaqur me cilësinë e sistemit shëndetësor në vendin e tyre. Kjo është më e lartë se 44% e vitit 2009, por ende më e ulët se mesatarja e vendeve të OECD (69%)”.

Image

Vlerësimi pozitiv i sistemit shëndetësor varion nga më e larta 57% në Kosovë në 46% në Maqedoninë e Veriut, niveli më i ulët.

Raporti tregon se në krahasim me vitin 2009, në Shqipëri ndryshimi është thelbësor. Nëse 10 vjet më parë vetëm 32% e shqiptarëve shpreheshin të kënaqur me sistemin shëndetësor të vendit të tyre, në vitin 2019 janë 53% e shqiptarëve që shprehen të kënaqur me shërbimin që marrin. Në total, ndryshimi është prej 21%.

Ndërkohë, në këtë dekadë, në vende si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, vlerësimi për sistemin shëndetësor ka pësuar regres, me përkatësisht 7% dhe 5%.

Sistemi shëndetësor luan një rol kyç edhe në pritshmërinë e jetëgjatësisë në lindje. Një foshnje e lindur sot në Shqipëri do të jetojë mesatarisht 78 vite, gjatë të cilave do të gëzojë shëndet të plotë për 69 vjet (rreth 80 nëse është femër dhe rreth 76 nëse është mashkull).

Kjo është jetëgjatësia më e lartë në Ballkanin Perëndimor dhe me një ndryshim prej plot 6 vitesh mesatarisht, me vendin e fundit që është Kosova.

Një tjetër e dhënë e rëndësishme është ajo që analizon vlerësimin e publikut për arsimin.

Bazuar në të dhënat e “Gallup” për 10-vjeçarin e fundit, OECD vlerëson se: “Më shumë se gjysma e qytetarëve të rajonit janë të kënaqur me standartin e ofruar nga sistemi arsimor. Megjithatë, gjatë një dekade vlerësimi për arsimin ka rënë në shumicën e vendeve me mesatarisht 7%”.

Shqipëria është përjashtimi i vetëm, duke qenë i vetmi vend në rajon ku vlerësimi për arsimin është rritur në 59%, një përmirësim prej 10 pikësh. /Dita/

Sipas OECD-esë dhe Gallupit, shqiptarët më jetëgjatët në rajon