Syla: Stafi shëndetësor është i stërlodhur dhe i mbingarkuar

Stafi shëndetësor është stërlodhur dhe është i mbingarkuar pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në Kosovë.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, Blerim Syla, i cili thotë se deri para dy ditësh, 257 punëtorë shëndetësorë janë konfirmuar me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi, por që sipas tij, ky numër tashmë mund të ketë arritur deri në 300.

Reklama e sponzorizuar

“Unë nuk dua të përhap panik që është duke dalë situata prej kontrollit, mirëpo unë mund të them se jemi duke i stërmbushur kapacitetet, ato që i kemi ne. Sipas statistikave që i posedon Federata Sindikale e Shëndetësisë, në Kosovë i kemi të përgatitur diku 401 shtretër, në krejt Kosovën, sa i përket atyre që duhet të trajtohen me COVID-19. Mirëpo, problemi qëndron te stafi sepse ky staf është stërlodhur dhe është i mbingarkuar”, thotë Syla.

Syla thotë se i gjithë problemi qëndron se Kosova nuk ka staf të mjaftueshëm që të trajtojë pacientët me COVID-19.

“Sa i përket situatës nëpër klinika, ju e dini që ka pasur disa tendenca për dhënien e shërbimeve edhe nëpër spitale të tjera. Mirëpo problem e kemi sepse nuk kemi shumë staf. Po ua marr rastin e Gjakovës. Atje pardje kemi pasur katër punëtorë shëndetësorë të infektuar, ndërsa kemi nëntë pacientë që janë duke e marrë trajtimin. Pra, situata nuk është e mirë, është një situatë goxha e rëndë dhe kjo është pasojë e të gjithëve”, thotë Syla për Radion Evropa e Lirë.

Të shtunën, Kosova ka regjistruar tetë të vdekur dhe 178 raste të reja me koronavirus, që shënon ditën me rekordin më të keq brenda një dite sa i përket viktimave dhe të infektuarve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bëri apel po ashtu që qytetarët të respektojnë rekomandimet, si: mbajtjen e maskave, mbajtjen e distancës dhe ruajtjen e higjienës, pasi sipas këtij Institutit, duke respektuar këto rregulla, ruhet edhe shëndeti i qytetarëve.

Qeveria e Kosovës të mërkurën vendosi disa masa shtesë për mbrojtjen nga koronavirusi, përshirë edhe ndalesën e grumbullimit të më shumë se 50 personave në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë u regjistruan më 13 mars.

Që atëherë, deri më 4 korrik, sipas të dhënave të publikuara nga IKSHPK, 3,356 persona janë infektuar me koronavirus. Prej tyre, 66 kanë vdekur, 1,874 janë shëruar dhe 1,416 persona vazhdojnë të jenë aktivë me koronavirus.