Takimi i radhës Hoti-Vuçiq, në shtator

Takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet në Bruksel gjatë shtatorit, është bërë e ditur të enjten nga Brukseli.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, ish-ministri i Jashtëm sllovak Miroslav Lajçak po ashtu ka dhënë detaje të takimit të së enjtes midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Reklama e sponzorizuar

Ai përmes një njoftimi pas takimit ka treguar se çështja e parë për të cilën është biseduar sot është ajo e të pagjeturve.

“Rreth kësaj, është kjo çështje tejet e rëndësishme në kontekstin e pajtimit dhe me rëndësi për familjet që jetojnë në amulli tash e sa dekada”, ka thënë ai, duke nxitur bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Sa i përket çështjes së dytë të diskutuar, asaj të bashkëpunimit ekonomik, Lajçak ka thënë se ajo paraqet një prej shtyllave të Bashkimit Evropian.

“Jam i kënaqur se pas takimit të sotëm, të dy liderët u pajtuan që ta vazhdojnë punën intensive në nivel ekspertësh qysh gjatë javës së ardhshme”, ka bërë të ditur ai.