“Tregu i BE-së mundësi me mish vendor, e jo me importe nga Brazili”

Lajmi për përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve të treta, me të drejtë eksporti të produkteve ushqimore me origjinë shtazore në vendet e Bashkimit Evropian, i ka entuziazmuar kompanitë e përpunimit të mishit në vend – shkruan Kosova.info

Pronarë të kompanive vendore të këtij sektori e kanë cilësuar këtë një lajm shumë të mirë për ta, por edhe për ekonominë vendore në përgjithësi.

Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë, për Kosova.info ka thënë se ky lajm “duhet të mirëpritet pa eufori”. Sipas tij raporti import – export ka qenë në disproporcion deri më tani për vendin.

Reklama e sponzorizuar

“Një ndër indikatorët më të rëndësishëm ekonomik për një shtet padyshim është rritja e eksportit. Për fat të keq Kosova në këtë drejtim ka arsye për shqetësim, sepse raporti eksport – import është shqetësues” – ka theksuar ai.

Ai ka vënë në dukje faktin se vendi ynë “importon me shumë se 90%, a eksporton vetëm 10%, që nënkupton se Kosova eksporton para te gatshme.”

Megjithatë sipas tij: “Lajmi për mundësinë e lejimit të eksportit të produkteve me origjinë shtazore në EU duhet të mirëpritet, por pa eufori. Internacionalizmi i ekonomisë vendore është prioritet dhe duhet të bëhet më shumë punë në drejtim certfikimit, licencimit, standardizimit dhe akreditimit. Dora e shtetit duhet të jetë në mbështetje të kësaj industrie por në rend të parë duke rritur fondin e fermave te bagëtive në vendin tonë përmes granateve dhe subvencioneve si dhe të kontrollohet importi. Nuk mund të promovohen produktet e mishit “Made in Kosova ” me mish të importuar nga Brazili apo, vendeve të tjera dhe sidomos nuk mund të arrihet standardi Hallall me këtë mish të importuar.”

Për më tepër, sipas tij:

“Duhet mbështetur prodhuesit vendor e në veçanti fermerët duke mundësuar promovim të këtyre produkteve kudo në Evropë. Nuk duhet të kuptohet tregu Evropian vetëm aty ku është diaspora e jonë, është treg shumë i gjerë dhe ka shumë mundësi të tjera. Prandaj duhet të përgatitemi për këtë mundësi, por me kualitet dhe plotësim të standardeve të kërkuara në nivel evropian.”/Kosova.info/