Praktika e ndërrimit të sekretarëve kur ndryshojnë partitë në pushtet është duke vazhduar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Me një ekspres rokadë Ministria, e cila drejtohet nga AAK-ja, e ka emëruar ushtrues detyre të sekretarit Shkëlzen Morinën, për të cilin është puna e parë në MPJ. Nga pozita e drejtorit të Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave, ministrja e transferoi atë në Departamentin për Diplomaci Ekonomike në Ministrinë e Jashtme.
Pas vetëm dy ditësh ai avancohet në ushtrues detyre të sekretarit të përgjithshëm në Ministri.
Ministria nuk ka ofruar sqarime për arsyetimin e këtij emërimi dhe përvojën që ka Morina.
Sipas njoftimit që i është përcjellë stafit të këtij dikasteri, të cilin e ka siguruar KOHA, Morina do të ushtrojë detyrën e sekretarit të përgjithshëm me kompetenca dhe përgjegjësi të plota.
Emërimi është bërë pavarësisht faktit se brenda kësaj ministrie ka qenë sekretar Fitim Sadiku, që kishte kaluar në listën tepricë pas riorganizimit të ministrive gjatë qeverisjes Kurti.
Sadiku ka thënë se iu patën drejtuar me kërkesë ish-kryeministrit Kurti për t’u bërë zgjidhje, por për shkak të pandemisë dhe rrëzimit të qeverisë është prolonguar kjo çështje. Ai ka shtuar se më 23 korrik i skadon mandati dhe se me ligjin e ri duhet të sistemohet në një pozitë më të ulët në Ministri.
“Mua më 23 korrik më skadon mandati. Me ligj të ri pas përfundimit të mandatit duhet të sistemohem në një pozitë me të ulët (drejtor) në MPJD. Iu patëm drejtuar ish-kryeministrit Kurti me kërkesë, mirëpo filloi pandemia e pastaj ndodhi shkarkimi i tij dhe u prolongua kjo çështje”, ka deklaruar ai.
Kohën sa ishte Glauk Konjufca ministër, ushtrues detyre i sekretarit ishte caktuar Albert Prenkaj, njëherësh drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme. Por ministrja Meliza Haradinaj e ka suspenduar Prenkajn edhe nga pozita e drejtorit, me arsyen se ka bërë shkelje të rënda.
Përfaqësues të opozitës i kanë cilësuar absurde lëvizjet e fundit brenda Ministrisë së Jashtme.
Kreshnik Ahmeti, ish-shef i kabinetit të Glauk Konjufcës thotë se rokadat e shumta me suspendime, pezullime e ngritje në pozita po bëhen për të akomoduar interesat e partive në koalicion. Sipas tij, është vendim absurd emërimi në postin e sekretarit të dikujt që nuk e njeh politikën e jashtme dhe praktikat diplomatike.
“Rokada të shumta me suspendime, pezullime, ngritje e dërgim në misione janë bërë e po bëhen për të akomoduar interesat e partive të përfshira në Qeverinë ilegjitime Koti. Se çfarë mund t’i kontribuojë politikës së jashtme të Republikës njohuria e këtij personi për tatimin në pronë është e pakuptueshme. Por, edhe më absurde bëhet situata kur ky person, në ditën e dytë të punës së re dhe ende pa u njohur mirë me kolegët dhe zyrat e reja, se lëre më me politikën e jashtme apo praktikat diplomatike, caktohet u.d. i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ky është edhe një hap shtesë i ministres Haradinaj drejt degradimit të plotë të MPJD-së dhe Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës. Vendimet e tilla do të zhvleftësohen shumë shpejt, sepse një qeverisje e tillë nuk mund të vazhdojë gjatë”, ka thënë Ahmeti.
Ministrja Haradinaj do t’i rishqyrtojë edhe vendimet e paraardhësit të saj, Konjufca, të cilat kanë të bëjnë me rrotacionin në shërbimin e jashtëm.