Dy marrëveshjet “Telekom-PayKos” që e shkelën kontratën bazë

Telekomi i Kosovës këtë vit ka lidhur dy aneks kontrata me kompaninë “PayKos” me kushte të pafavorshme dhe duke shkelur kontratën bazë të vitit 2015 për shitjen e mbushjeve të Vala-s. Në aneksin e parë, kjo kompani nga shitja e një sasie të mbushjeve për Vala-n fitoi 700 mijë euro, kurse në të dytën, fitoi 350 mijë euro.

Agon Sinanaj

Telekomi i Kosovës po vazhdon edhe këtë vit me kontrata të pafavorshme. Brenda një kohe të shkurtër gjatë këtij viti, ndërmarrja ka lidhur dy marrëveshje të reja me kompaninë “PayKos” për distribuimin dhe shitjen e mbushjeve të Vala-s.

Reklama e sponzorizuar

Kjo e fundit ka kontratë me Telekomin për shitjen e mbushjeve që nga viti 2015.

Por këtë vit menaxhmenti i Telekomit ka shkuar përtej kontratës bazë duke lidhur dy anekse të reja, që i mundësuan kompanisë “PayKos” fitime prej 30 për qind nga shitjet e mbushjeve, përderisa me kontratën bazë fitimet e kompanisë ishin caktuar të jenë në lartësinë prej 10 për qind.

Kështu derisa në Aneksin e parë, PayKos-i fitoi 750 mijë euro për shitjen e mbushjeve të Vala-s në vlerë të 2 milionë eurove, në Aneksin e dytë për shitjen e mbushjeve në vlerë të 1 milion eurove kjo kompani fitoi edhe 350 mijë euro tjera.

Në të dyja rastet, Telekomi i kërkon kompanisë që pagesat t’ia kryejë në afat rekord para se të shitet malli.

“Operatori-Telekomi i ofron për blerje Partnerit-PayKos kredi në vlerë prej 1 milion eurove. Provizioni është 30 për qind nga vlera totale”, thuhet në nenin 2 të kësaj aneks-kontrate që mban nënshkrimin e kryeshefit aktual, Bedri Istrefit.

Kompania detyrohet që pagesën sipas këtij aneksi prej 1 milion eurove t’ia kryejë Telekomit jo më larg se data 31 korrik e 2019-tës. Në ankesin e dytë, pagesa prej 2 milionë eurove Telekomit iu krye në muajt mars dhe prill.

Ndryshe, me kontratën bazë mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë PayKos, të arritur në vitin 2015, kjo e fundit për shitjen, distribuimin dhe promovimin e mbushjeve të Vala-s, përfitonte provizion 10 për qind. Për katër vite, mes periudhës 2015-2018, nga kjo tarifë “PayKos”-i përfitoi prej Telekomit rreth 10 milionë euro.

Por, me ardhjen e menaxhmentit të ri në vitin 2019, kjo kompani është favorizuar edhe përtej kontratës bazë. Dy anekse të kontratës që ka siguruar Buletini Ekonomik, të arritura në fillim të këtij viti dëshmojnë për ndryshim të tarifës nga kontrata bazë.

Aneksi i dytë: “PayKos” përfitoi 750 mijë euro për shitjen e mbushjeve në vlerë të 2 milionë eurove

Ndërkaq sipas aneksit të dytë, kompania “PayKos” bleu nga Telekomi mbushje në vlerë 2 milionë euro për t’i shitur në tërë Kosovën. Për këtë shërbim në emër të Telekomit, si edhe në rastin e parë “PayKos”-i do të marrë po ashtu 30 për qind provizion apo përkthyer në vlerë monetare, 700 mijë euro.

Përmes kësaj aneks-kontrate, Telekomi i ofroi “PayKos”-it stoqe të kartelave në vlerë prej 2 milionë eurove, për shitjen e të cilave kompania do të merrte provizion prej 30 për qind.

Kushti i vetëm nga Telekomi ishte që kompania këto dy milionë euro do të duhej t’i transferonte në afat rekord në llogaritë e Telekomit.

Ashtu edhe ndodhi. Sipas ankes-kontratës, në muajin prill dhe mars, “PayKos” i transferoi tek Telekomi 2 milionë euro si parapagim.

“Partneri (PayKos) garanton se stoqet e ofertuara nga Operatori (Telekomi) do t’i parapaguaj nëpërmes Profaturës së lëshuar nga Operatori (Telekomi) para se të tërhiqen dhe atë: – Kontigjeni i parë, 1 milion euro, jo më larg se 31 Mars 2019; – Kontigjenti i dytë, 1 milion euro, jo më larg se 30 Prill 2019”, thuhet në këtë aneksë-kontratë.

Për këto 2 milionë euro provizioni u llogarit 30 për qind, plus 18 për qind TVSH-ja, që i bie në total 700 mijë euro fitime të pastra për kompaninë.

Historiku i ‘bujshëm’ i PayKos-it me kontrata në Telekom

Mirëpo, historiku i “PayKos”-it me kontrata në Telekom daton qysh në vitin 2015 kur e njëjta kishte fituar një kontratë milionëshe vetëm katër muaj pasi ishte regjistruar si biznes në ARBK.

Kontrata që kishte si synim distribuimin dhe shitjen e mbushjeve Pre Paid, i mundësoi kësaj kompanie një fitim prej minimum 10 milionë euro për katër vite, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 për qind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “Pay-Kos”-it.

Buletini Ekonomik përmes një hulumtimi këtë muaj ka zbuluar se prapa kësaj kompanie qëndron kompania e arkave fiskale “Gekos”, me pronar Enver Maliqin, biznesmen shqiptar që vepron në Maqedoni.

Si e vetme, gjithçka rreth PayKos-it është e paqasshme për publikun. Kompania madje nuk ka as ueb faqe dhe nuk mund të dihet asgjë rreth aktiviteteve të saj. /Buletini Ekonomik/