Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar sot kundër Gjykatës Speciale, e cila është themeluar në vitin 2015 për t’i gjykuar krimet e pretenduara nga pjesëtarë të UÇK-së.
Kjo protestë që është mbajtur në Prishtinë dhe në qytete tjera të Kosovës me moton “Në mbrojtje të luftës çlirimtare” është organizuar pas aktakuzave të publikuara nga prokuroria ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, i ka quajtur akuzat ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së të padrejta, të njëanshme dhe të ndikuara politikisht.
“Shpallja e pazakontë e aktakuzave ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e befasoi botën qytetare, pa i përjashtuar as ish-zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, ushtarakë e njerëz më të ndikimit politik botëror. Kurse populli liridashës i Kosovës, i cili luftoi kundër makinerisë vrastare të Millosheviqit i ndihmuar edhe nga aleatët ndërkombëtarë e zhgënjyen thellë, sepse ata që na kanë mësuar qe 20 vite për sundimin e ligjit dhe për zbatimin e sundimit të ligjit po i shkelin vetë këto ligje në formën se si ata i ngritën këto akuza duke ndërhyrë në drejtësi, duke iu dhënë këtyre gjykatave karakter politik”, është shprehur Gucati.
“Si pasojë e veprimeve të kësaj gjykate u anulua takimi i 27 qershorit në Washington që ishte paraparë për të filluar dhe për të mbaruar dialogu në mes të krerëve të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë”, ka shtuar ai.
Kundër Gjykatës Speciale ka folur edhe përfaqësusi i ish-të burgosurve politikë, Meriman Braha. Ai ka thënë se do të duhej që kjo gjykatë të përfshinte të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.