Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë një nismë që të krijojë një Komision Hetimor Parlamentar për hetimin lidhur me abuzimet e mundshme me procesin e ndërtimit, licencimit e operimit të hidrocentraleve.
Formimi i këtij komisioni, që ishte nismë e deputetit Haxhi Avdyli do të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e ardhshme, që pritet të mbahet më 14 gusht.
Për shkak të abuzimeve të mëdha me ndërtimet e hidrocentraleve, organizatat që merren me mbrojtjen e mjedisit e kanë mirëpritur këtë nismë të Kuvendit, raporton KOHA.
Besfort Kosova nga “Balcan Green Foundation” ka thënë se sasia e energjisë që krijojnë këto hidrocentrale është shumë e vogël në raport me stabilitetin energjetik që i duhet vendit dhe me dëmet që ato u shkaktojnë natyrës e ujërave.
Ai ka thënë se futja e ujit nëpër gypa, përveçqë do ta pakësojë rrjedhën e ujit e të shkatërrojë burime të tjera të natyrës, do të dëmtojë e degradojë peizazhet natyrore e burimet ujore të vendit.
Hidrocentralet në vend tash e sa kohë ndërtohen pa u respektuar standardet mjedisore e legjislacioni në fuqi.
Në Kosovë operojnë 14 hidrocentrale të vogla dhe 21 të tjera janë në faza të ndryshme të ndërtimit, por asnjëra prej tyre deri më tash nuk ka leje mjedisore.