Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka votuar kundër uljes së akcizës në lëngje nga 4.5 cent për litër në 0.5 cent për litër.
Deuptetët kërkuan që Qeveria të japë opsione të reja sa i përket kësaj çështje duke i ndihmuar prodhuesit vendor. Ata ishin kundër heqjes së akcizës për shkak se ky vendim heq akcizën edhe për lëngjet e importuara.
Propozimi i Qeverisë u hodh në votim mirëpo nuk mori përkrahjen e deputetëve. Zëvedësiministri i Financave, Agim Krasniqi tha se nuk mund të diskriminohen importuesit e huaj e të favorizohen prodhuesit vendor për shkak se Kosova është nënshkruese e MSA -së, e cila ndalon favorizimin e ndonjë sektori.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se kjo ka qenë kërkesë e bizneseve të cilat merren me prodhimin e lëngjeve. Qeveria ka marrë vendim për ndryshimin e tatimit të akcizës në lengje dhe automjetet hibride. Sipas kërkesës së bizneseve akciza 4.5 cent në lëngje është shumë e lartë.
Ministria e Financave ka propozuar që të zbritet në 0.5 cent në litër. Akciza për veturat hibride për shkak të stimulimit të blerjes së tyre është marrë vendim nga 500 euro në 10 euro. Impakti financiar për këto dyja është 5 milionë euro në vit për lëngje, ndërsa, sa i përket veturave 11 mijë euro në vit.
Lidhur me këtë iniciativë të Qeverisë, anëtarët e komisionit shprehën rezervat e tyre për shkak të ndikimit që mund të ketë kjo në buxhetin e shtetit.
Deputeti, Bedri Hamza rekomandoi për kujdës për shkak se ulja e taksave sipas tij dërgon në rritje të borxhit publik.
“Ne duhet të kemi kujdesë në gjetjen e ekulibrave për të mos i dëmtuar të hyrat”, tha ai.
Kryetari i Komisionit, Hekuran Murati tha se ndihma për prodhuesit vendur duhet të ekzistojë për prodhuesit e sidomos në këtë kohë. Mirëpo pyetja sipas tij duhet të jetë se sa “ne po krijojmë avantazh për prodhuesit vendor duke e hequr akcizën edhe për importuesit”.
“Dihet që për shkak të MSA se ne nuk mund t’i favorizojmë prodhuesit tanë. Për mua është vështirë ta mbështes kur nuk e kemi informatën se sa nga të hyrat nga akciza vijnë nga importuesit dhe sa prej tyre vijnë nga prodhuesit vendor. Sa i përket akcizës për veturat hibride edhe unë e mbështes”, ka thënë Murati.
Ndërsa, Bajrami tha se kërkesa për heqje të akcizës në lëngje vjen ekskluzivisht nga prodhuesit vendor.
Murati tha se duhet të bëhen zgjidhje të tjera për ti ndihmuar prodhuesit vendor. /Buletini Ekonomik/