Të gjithë të vdekurit nga COVID-19 në Kosovë kanë pasur sëmundje të rënda shoqëruese, ka thënë të marten Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
“Në momentin kur e kam pranuar detyrën jam njoftuar me trajtimin e rasteve që kanë pësuar me fatalitet dhe që janë në evidencë të IKSHPKS-së… Jam interesuar në detaje për sëmundjet shoqëruese. Kam kërkuar çdo detaj. Janë të gjitha detajet që janë të përfshira në bazë të protokollit. Por, është Ligji për të Dhëna. Por, çdo person që ka rezultuar me fatalitet ka pasur sëmundje të rënda shoqëruese. Edhe ata që nuk kanë shkuar deri në Infektive por janë testuar më vonë”, ka thënë ai.
Zemaj, gjatë një konference shtypi të marten, i shoqëruar nga drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, po ashtu e ka përshëndetur shkarkimin e Basri Sejdiut.
“Është veprim per t’u përshëndetur”, ka thënë ai.
Zemaj ka folur edhe rreth hetimeve të policisë për 6 vdekjet në Infektive, të dielen. Ka thënë se pandemia “nuk duhet të na humbë njerëzoren”.
“Jemi sot për t’ju kushtuar vëmendje disa çështjeve dhe rritjes së fuqisë tonë. Ditëve të kaluara kemi pasur disa raste të vdekjeve që kanë ngritur dyshime. Pandemia nuk duhet të na humbë njerëzoren”, ka thënë ai.