Për Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, situata me COVID-19 është menaxhuar mirë.
Në një replikë Arbër Rexhajt të LVV-së, ai ka thënë se pandemia ka futur në kolaps sistemet më të avansuara anembanë botës, teksa ka vazhduar akuzat ndaj Vetëvendosjes.
“Nuk është imune as Kosova. Por, fatmirësisht situata është menaxhuar mirë, e po tentojmë të vazhdojmë këtë menaxhim. Kur i referohemi situatave që infeksioni i COVID-19 ishte i panjohur. Për këtë arsye edhe ndërmarrja e masave dhe rikthimi në kufizim janë përgjegjësi e IKSHPK-së. Ne i përkrahim plotësisht. COVID-i ju prek edhe ju, është dashur ta keni parasysh me datën 12 qershor. Po ju tregoj çfarë ka bërë koronavirusi vetëm në Prishtinë… Është papërgjegjësi e juaja, që i keni nxjerrë njerëzit nuk i keni mbrojtë, nuk e keni respektu distancën e as masat mbrotjëse”, është përgjigjur Zemaj.
Replika e tij ka ardhur pasi që Rexhaj kishte shprehur shqetësim rreth gjendjes me koronavirus.
“Gjendja me COVID-19 është tejet shqetësuese. Në baza ditore kemi mbi 200 raste në Kosovë dhe si analogji nëse ju kujtohet sa ishte Qeveria Kurti, presidenti Hashim Thaçi së bashku me Hotin, që ishte zëvendëskryeministër i Kurtit, kërkonin gjendje jashtëzakonshme. Pse sot s’po shpallet? Atëherë nuk kishim të vdekur, e sot edhe me dhjetëra”, ka thënë Rexhaj në Kuvend.
Të menaxhueshme e ka quajtur situatën edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
“Jemi duke e menaxhuar situatën, trendi është në rritje, si është në rajon e më gjërë. Ministri dha shifra konkrete. Jemi në proces të riorganizimit të klinikave spitalore, për të krijuar shtretër shtesë, janë krijuar ato, por edhe në spitale rajonale. Po ashtu, e kemi autorizuar Ministrinë e Shëndetësisë që në përputhje me ligjin të kërkojë nga spitalet private të vëjë në dispozicion shtretër shtesë, nëse është e nevojshme”, ka thënë Hoti.
I pari i Qeverisë po ashtu ka thënë se MSH-në e ka autorizuar që të bëjë angazhimin e gjithë stafit shëndetësor në nivel vendi, që nuk janë të angazhuar në sektorin publik e privat.
“Kemi autorizuar Ministrinë të licencojë institucione private e stafe rajonale, për të kryer testime në përputhje me standardet. Kemi filluar procedurat për vlerë deri në 100 mijë teste virologjike dhe 500 mijë vaksina të gripit sezonal, që mundësojnë krijimin e një imuniteti për vjeshtë. Janë bërë porositë e nevojshme për vaksinë eventuale kundër COVID-19. Kemi filluar procedurat për blerjen e shtatë aparateve për testim, një në Infektive e gjashtë rajonale. Kemi autorizuar vlerën e terapive specifike për COVID-19”, ka thënë ai.
Përplasje LDK-LVV në Kuvend rreth krizës pandemike
Deputeti i LVV-së Liburn Aliu ka folur për rastin e vdekjeve të dyshimta në QKUK, duke thënë se ajo është rrjedhojë e “papërgjegjësisë politike”.
“Ishin pacientë që ishin shtrirë për të kërkuar shërbim shëndetësor. Gjetën vdekjen pikërisht në dorën e sistemit shëndetësor. Po flitet për rënien e sistemit e sistemit të oksigjenimit. Pra diçka që ndodhi brenda minutash hodhi poshtë gjithë mundin e kujdesit dhe personelit mjekësopr e solli vdekje. Ky sistem ra edhe dje e ishim me fat, pasi mund të ndodhte edhe dje. Ka rënë edhe në të shkuarën ku ishin po ashtu të pafat. Ku në vitin 2017 pacientët vdiqën e supozohet nga gazi oksidul. Për ato vdekje nuk u zbuluan shkaktarët e përgjegjësit. Ato thjeshtë ndodhën e pothuajse u harrua, derisa fajtorën dolën paq. Këto vdekje që po na del se kanë të bëjë me sistemet e furnizimit, po përsëriten. Nuk ka të bëjë me personel mjekësor qe po lufton. Është përgjegjësi menaxheriale që vjen si rrjedhojë i përgjegjësie apo papërgjegjësië politike”, ka thënë ai.
Sipas Aliu, “Qeveria ilegale” e ka idenë e saj se pandemia e arrin pikun, e pastaj kalon, ose me arritjen e imunitetit të masës, “e ku kemi sistem shëndetësor me kapacitet të limituar”.
“Kjo ide ishte e gabuar. Tani kur kemi arritur në momentin e daljes nga kontrolli e klinikat vërshohen nga pacientët, bëhet thirrje e merren masat. Por, kësaj thirrjeje nuk i shkon më zëri. Nuk mund të ketë besim te ju”, ka thënë ai.
E Vlora Limani Hajnuni e LDK-së e ka akuzuar LVV-në për përhapje të koronavirusit.
“Duhet të kemi kujdes në diskutimet e sjelljet tona pasi shembulli i jonë mund të ndiqet nga qytetarët. Kemi rritje enorme të rasteve me COVID-19. Si rezultat i shumë faktorëve, por me dëshirë do të flisja në një periudhë tjetër pos pandemike, kur qytetarët edhe shërbyesit shëndetësor të jenë liruar nga antkhi i virusit. Por, meqë disa nga ne po përpiqen të gjejnë fajtorë te periudha e inkubacionit të virusit nga 7 deri 14 , është mirë të përkujtohen disa faktorë nga 30 maji deri 14 qershor. 30 maji është hapja e masave. E pastaj tubimi më LVV-së me afër 5 mijë persona”, ka thënë ajo.