Penetrimi i internetit në Kosovë është vazhdimisht në rritje dhe deri më tani arrin në 90% për të gjitha grupmoshat, pa dallim mes vendeve urbane dhe rurale.
Referuar të dhënave të publikuar në udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit për rihapjen e shkollave në kushtet e pandemisë COVID-19, 97% e popullatës kanë qasje në telefon mobile, 37% kanë Smart TV, 30% kanë tablet, 39% kanë kompjuter dhe 48% kanë laptop.
Të dhënat tregojnë se shtetasit e Kosovës qasen në internet më së shumti përmes telefonave mobil me 74%. Për mësimin nga distanca llogaritet që një pajisje mund të ndahet më së shumti mes dy fëmijëve, për të arritur orarin minimal të ndjekjes, të angazhimit dhe dërgimit të detyrave. Referuar raportit të Ministrisë së Arsimit të Kosovës, vetëm 9070 nxënës nuk kanë ndjekur mësimin nga distanca.
Sipas vlerësimit të GIZ për shkollat kampion, 11.5% të nxënësve nuk e kanë ndjekur mësimin online. Arsyet kryesore të mospjesëmarrjes kanë qenë: mungesa e internetit, mungesa e pajisjeve nga ana e nxënësve, mungesa e pajisjeve nga mësimdhënësit dhe aftësitë e e tyre të kufizuara për përdorim, vështirësia e angazhimit për moshat e vogla dhe fëmijët me aftësi të kufizuar. Për këtë arsye raporti vendos si objektiva urgjente rritjen e nivelit të dixhitalizimit dhe mbulimin me internet të të gjitha zonave.