Posta e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, kishte kërkuar me anë të një shkrese zyrtare përkrahje financiare nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, pasi ishin duke u rrezikuar edhe pagat e punëtorëve në këtë ndërmarrje, shkaku i borxhit të kësaj të fundit ndaj ATK-së.
Kjo shkresë sipas Postës së Kosovës, ishte bërë me qëllimin e vetëm për ta evituar bllokimin e llogarive bankare nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për shkak të borxhit dhe obligimeve tatimore ndaj saj, përcjell Buletini Ekonomik.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik në dhjetor të vitit të kaluar kur ishte bërë edhe shkresa, e kishte subvencionuar Postën me gjithsej 720 mijë euro, me të cilat Posta obligohej që t’i shpenzonte direkt për shlyerjen e borxheve ndaj ATK-së, dhe të sigurohej që llogaritë bankare të saj të ishin të sigurta.
Pas kësaj ishte kërkuar që të bëhej gjithashtu një raport me dëshmi bankare mbi shfrytëzimin e mjeteve të subvencionuara sipas vendimit.
Mirëpo, mjetet e dhëna nga MZHE-ja nuk ishin shpenzuar që të gjitha në bazë të destinimit të përcaktuar. Prej 720 mijë eurove të ndara nga MZHE-ja, vetëm 396 mijë e 431 euro kanë shkuar për ATK-në, kurse për pjesën tjetër prej 323 mijë e 569 eurove nuk dihet fati i tyre se për çfarë arsye janë shpenzuar.
“Mjetet e subvencionuara në vlerë prej 396,431 euro janë shpenzuar për destinimin e përcaktuar, përkatësisht pagesa e obligimeve ndaj ATK-së, ndërsa pjesa tjetër prej 323,569 euro është shpenzuar për destinime të tjera”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Auditori i Përgjithshëm në raportin e saj të fundit për ndërmarrjen publike “Posta e Kosovës”, ka ngritur dyshime serioze për mos shpenzimin e drejtë të këtyre mjeteve nga vet ndërmarrja në fjalë, dhe mos arsyetimin e destinimit të mjeteve të mbetura. Kjo pasi Posta e Kosovës nuk kishte hartuar dhe nuk kishte dorëzuar në MZHE asnjë raport të shpenzimit të mjeteve ashtu siç ishte kërkuar.
Sipas shkresës së Zyrës Kontabël të Financave në Postën e Kosovës (ZKF) drejtuar ministrisë së linjës, mjeteve u ishte ndërruar destinimi si rezultat se vendimi për destinimin e mjeteve kishte arritur me vonesë në ndërmarrje.
Por, në bazë të dokumenteve të ofruara për Auditorin, Kompania nuk ka arritur të dokumentojë se kjo ka ndodhur në mungesë të informacionit për destinimin e mjeteve, çka rrit dyshimet për keqpërdorimin e tyre.
Kompania nuk i kishte shpenzuar mjetet e subvencionuara sipas vendimit të MZHE-së dhe po ashtu nuk ka raportuar për shpenzimin e tyre ashtu siç i ishte kërkuar.
E Auditori rekomandon se Bordi i Drejtorëve duhet të sigurojë, se mjetet e subvencionuara nga MZHE-ja, duhet të shpenzohen dhe të prezantohen në përputhje me destinimin e përcaktuar. /Buletini Ekonomik/