Dy projekte infrastrukturore kanë marrë miratimin e Trupës Drejtuese Ndërministrore, ka bërë të ditur Ministria e Infrastrukturës.
Në një njoftim për media, MI ka bërë të ditur se Trupa Drejtuese Ndërministrore ka aprovuar vazhdimin e punimeve në autostradën Gjilan-Dheu i Bardhë dhe ka bërë aprovimin e procedurave për sigurimin e fondeve për autostradën Prishtinë-Merdare.
Sipas njoftimit, ministri Arban Abrashi ka thënë në këtë takim se Prishtinë-Gjilan, është një projekt në vazhdim i iniciuar nga Qeveria e Kosovës, “ku aktualisht punimet janë duke u zhvilluar në pjesën e parë dhe duhet të vazhdojmë edhe në segmentin e mbetur të planifikuar deri në pikën kufitare Dheu i Bardhë”.
“Kjo pjesë e mbetur e autostradës do të sigurojë një lidhje dhe lëvizshmëri më të mirë për qytetarët dhe bizneset e Kosovës, e posaçërisht të rajonit të Anamoravës dhe Luginës së Preshevës me Prishtinën dhe korridorin X”, ka thënë ai.
Ndërsa projekti i vazhdimit të autostradës Prishtinë-Merdare, përfshin segmentin e fundit. Abrashi ka thënë se kjo rrugë përshkon Kosovën nga Vërmica në Merdare, me një gjatësi totale prej 128 kilometra dhe “siguron qasjen e Kosovës në rrjetet rrugore evropiane, duke përmirësuar lidhjet me vendet e tjera të Ballkanit”.
Në takimin e djeshëm është bërë edhe konstuimi i trupës drejtuese. Pjesë e kësaj trupe ndërministrore janë Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (u përfaqësua nga zëvendësministri Muharrem Nitaj), Ministria e Financave (u përfaqësua nga zëvendësministri Agim Krasniqi), Ministria e Pushtetit Lokal (u përfaqësua nga ministri Goran Rakiq) dhe Ministria e Infrastrukturës si kryesuese (u përfaqësua nga ministri Arban Abrashi.