Efektet sezonale, euro zbret në nivelin më të ulët që para fillimit të pandemisë, nënçmim i fortë i dollarit

Monedha e përbashkët ka shënuar një rënie të fortë sot në tregun e brendshëm valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.636 lekë, me një rënie prej 0.59 lekësh në raport me fundin e javës së kaluar.

Ky është niveli më i ulët që nga data 17 mars, kur sapo kishte filluar mbyllja e ekonomisë, si rezultat i masave që u morën për frenimin e përhapjes së Covid-19. Pas mbylljes, euro u rrit ndjeshëm, për të arritur në mbi 131 lekë në 30 mars. Më pas euro u stabilizua rreth nivelit të 124 lekëve.

Rënia e fortë e ditës së sotme është e lidhur më së shumti me efektet sezonale. Ndonëse me pak vonesë, fluksi i turistëve të huaj është shtuar, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia duke rritur ofertën për valutë në treg. Të dhënat zyrtare nga Doganat e Kosovës bënë të ditur se gjatë fundjavës, ishin rreth 30 mijë qytetarët të Kosovës që zgjodhën të vizitojnë bregdetin në Shqipëri, me 8 mijë vetura dhe mbi 50 autobusë.

Reklama e sponzorizuar

Në kahun tjetër, kërkesa për valutë është e ulët, pasi shumë shqiptarë nuk ikin dot me pushime jashtë vendit, përveç Turqisë, për shkak se vendet e BE-së lejojnë të udhëtojnë vetëm shtetasit e tyre dhe personat me leje qëndrimi. Edhe qarkullimi i parasë në vend, ndonëse në gjallërim, sërish mbetet i ulët në krahasim me vitet e kaluara.

Nënçmim të ndjeshëm shënoi dhe dollari. Monedha e gjelbër u këmbye sot me 105 lekë, duke zbritur në nivelin më të ulët që nga mesi i muajit prill të vitit 2018, sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë.

Tradicionalisht gjysma e parë e gushtit shënon një rënie të valutave për shkak të efekteve sezonale, që lidhen me ardhjen e turistëve dhe emigrantëve. Këtë vit në vend po vijnë me chartera vetëm turistë nga Polonia, Bjellorusia dhe Ukraina, ndërsa shumë më të mëdha janë hyrjet nga kufiri tokësor, nga Kosova e Maqedonia.