Kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se sot ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe drejtorin e IKSHP-së, Naser Ramadani dhe me ekspertë shëndetësorë, sot kanë vlerësuar situatën me covid-19 dhe përgatitjet që duhet të ndërmarrin në javët në vijim.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se në javët në vijim do të krijojnë kapacitete shtesë me shtretër dhe staf shëndetësor.
Ai tutje ka shtuar se gjithashtu janë bërë konsultime për punën e përbashkët të policisë dhe inspektoratit në terren në mbikëqyrjen e masave.
“Është vlerësim i përgjithshëm se momentalisht (në mungesë të vaksinës) i vetmi shpëtim është zbatimi rigoroz i masave: maska, distanca, higjiena dhe evitimi i grumbullimit në masë të qytetarëve. Institucionet shëndetësore janë në maksimumin e kapaciteteve të tyre. Në javët në vijim duhet të krijojmë kapacitete shtesë me shtretër dhe staf shëndetësorë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Kosova nuk do të shndërrohet në shtet policor, por shton se janë të obliguar t’i mbikëqyrin masat.
“Pas këtij diskutimi, me Ministrin Veliu, Drejtorin e Policisë, Kryeshefin e AVUK-ut dhe Drejtorin Ekzekutiv të Asociacioni të Komunave të Kosovës, kemi bërë konsultimet e nevojshme për punën e përbashkët në terren të policisë dhe inspektoratit në mbikëqyrje të masave. Kosova asnjëherë nuk do të shndërrohet në shtet policor, por jemi të obliguar që të ruajmë jetën e qytetarëve. Prandaj, policia dhe inspektorati do të zbatojnë ligjin ndaj atyre që nuk po i respektojnë masat”, ka shtuar ai.