Ikja e infermierëve, shqetësimi kryesor

Pagesa e vogël e kujdestarisë së natës për infermierët është një prej telasheve që e mundon këtë komunitet. Telash shumë i madh, dhe jo vetëm për ta, por për gjithë sistemin shëndetësor të Kosovës, është ikja e tyre në vende të zhvilluara, sidomos në Gjermani.

Fitim Havolli, kryetar i Sindikatës së Infermierëve dhe Mamive tha se po të mos ishte pandemia, për këtë kohë do të ishin larguar rreth 1000 infermierë.

“Realisht përveç që e kemi shqetësimin e punësimiit të atyre që e kanë përfunduar mjekësinë dhe duan të futën në punë, na e ekmi edhe një problem tjetër. Në mungesë të trajtimit si duhet të këtij komuniteti, infermierët që kanë përvojë dhe e kanë ushtruar profesionin për 20 vjet, po na ikin për çdo ditë, duke iu falënderu mundësive të mëdha që po ua ofron, në radhë të parë Gjermania. Po të mos ishte kjo pandemi do të ishte numri prej 1.000 vetave që do të kishin kërkuar punë në Gjermani”, tha Havolli në Interaktiv.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, ky është shqetësimi më i madh që mund t’i ndodh sistemit shëndetësor.

“Paramendomi me i humb këta profesionistë, sa duhet me i përgatit të tjerët, pasi punët e infermierit janë jashtëzakonisht profesionale dhe të ndishme”, tha ai.

Havolli: Infermierët janë të ngarkuar dhe të rrezikuar

Fitim Havolli, kryetar i Sindikatës së Infermierëve dhe Mamive ka thënë se komuniteti që përfaqëson është tejet i ngarkuar, pos që është edhe i rrezikuar për shkak të kontaktit direkt me pacientët e prakur me COVID-19.

Ai në një intervistë në Interaktiv, ka thënë se edhe veshja speciale e infermierëve, shton ngarkesën.

“Si komunitet infermieror jemi të stërngarkuar duke marrë parasysh punët dhe ndërhyrjet që ne i bëjmë në aspektin profesional. Përveç kësaj është edhe veshja, ajo është një gjendje e jashtëzakonshme, ato rroba janë anti-covid të cilat, ata që i kanë mundësi t’o veshin, qoftë edhe për 10 minuta, e kanë pasur sa e vështirë është. Tash paramendoni komunikimin dhe afërsinë me pacientin deri në 12 orë në ditë, nuk është e lehtë, por dhashtë Zoti që sa më pak të kemi të prekur tash e tutje”, ka thënë Havolli.

Havolli: Kur kërkojmë dyfishim të pagesës së kujdestarisë për 100% duket shumë, por nuk është

Fitim Havolli, kryetar i Sindikatës së Infermierëve dhe Mamive, ka sqaruar se kërkesa e tyre për rritje të pagesës së kujdestarisë së natës kap vlerën e 2.7 milionë eurove në vit, për të gjitha spitalet në Kosovë.

Ai, në një intervistë dhënë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se kjo do të motivonte infermierët në këtë kohë të rëndë për vendin shkaku i pandemisë me koronavirusin.

Aktualisht, pagesa për kujdestari është 18 euro, ndërkohë që po kërkohet të jetë 36 euro.

“Duket shumë kur kërkojmë 100 për qind rritje, por nuk është ashtu. Bëhet fjalë për 36 euro, pra tash është 18 euro kujdestaria e natës, kurse në kërkojmë të bëhet 36 euro”, ka thënë Havolli.

Për këtë kërkesë, infermierët sot kanë protestuar në Prishtinë.