Ndonëse infektologët kanë kërkuar qysh moti të sigurojnë Remdesivirin, tek tash Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që ta fusë në protokoll për trajtimin e pacientëve me Covid që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Infektologu Sali Ahmeti, thotë se e kishin kërkuar këtë ilaç, që po përdoret edhe në vende të tjera, pasi ai ka treguar rezultate të mira.
Ahmeti më tej thotë se kanë kërkuar nga fabrika e vetme që prodhon këtë ilaç, që të bëhen pjesë e një projekti hulumtimi me vendet e tjera të botës. Megjithatë, kjo kërkesë u ishte refuzuar.
Nga Shoqata e Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës kanë thënë se meqë sasitë janë të limituara, fabrika prodhuese ka kapacitet të sigurojë sasi vetëm për 25 persona gjatë muajit gusht.
Milaim Abdullahu nga kjo shoqatë ka bërë të ditur se për të siguruar këtë bar i duhet të ketë kontratë me institucionet publike, siç është Ministria e Shëndetësisë ose Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.
Në fillim të korrikut, BE-ja kishte aprovuar përdorimin e Remdesivir-it në trajtimin për COVID-19.