PDK paralajmëron kallëzim penal për anëtarët e Bordit të ZRRe-së për tarifat e energjisë

Abelard Tahiri- Shef i grupit parlamentar të PDK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka paralajmëruar se dpartia e tij do të bëjë kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në rast se të njëjtit nuk mblidhen për të vendosur që tarifat e energjisë elektrike të ulen.

Tahiri ka thënë se që nga fillimi e kanë kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të tarifave të energjisë.

“GP i PDK-së që nga fillimi i debatit për shtrenjtimin e energjisë elektrike e kemi kundërshtuar dhe i kemi përdorur të gjitha mjetet e mundshme ligjore qe i kemi pasur në dispozicion në mënyrë që të vijmë deri tek pezullimi e në fund analizimi i këtij vendimi. Sot kur kemi një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës që pezullon vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e tarifave mbi 100% dhe në anën tjetër kemi një deklarim të ZRRE-së që thotë se ky venim nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk do ta zbatojmë ne e kundërshtojmë  këtë vendim”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Më tutje, Tahiri tha se i bëjnë thirrje Bordit të ZRRE-së që të mblidhen dhe të vendosin për tarifat e energjisë karshi vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Ne bëjmë thirrje që Bordi i ZRRE-së të mblidhet sa më shpejtë dhe të jap instruksione që KEDS për këtë muaj t’i tarifojë qytetarët me çmimin e ulët të tarifave e jo me këtë të lartin që janë paguar për këta dy muaj.  Në rast se Bordi deri ditën e hënë nuk do të mblidhet për të dhënë instruksione KEDS-it për këtë muaj t’i tarifojë qytetarët me çmimin e ulët të tarifave ne si PDK do të bëjmë kallëzim penal për secilin anëtarë të Bordit”, ka thënë ai.