Nuk i kemi punët aspak nën kontroll. Përkundrazi. I kemi punët “pus”, keq e përtej keq. Kosova tashmë ka ngecje evidente zhvillimore, ka rënia të të gjithë parametrave të zhvillimit ekonomik, ka me mijëra punëtorë që kanë humbur vendet e tyre të punës, nuk ka fare investime të huaja, ka stagnim në investimet kapitale, ka mungesë të parave buxhetore…
Shkruan: Mehmet GJATA
Më kot vazhdojnë të deklarohen paturpësisht autoritetet e Kosovës se “i kemi punët nën kontroll”. Këto broçkulla nuk janë më të besueshme për opinionin kosovar. Nuk i kemi, as zyrtarët nuk e kanë asnjë punë nën kontroll. Kriza e thellë po troket në të gjitha dyertë, ndërkohë që kolapsi ekonomik e social duken nga “havaja”. Pra, i kemi punët “pus”, keq e përtej keq. Kosova tashmë ka ngecje të mëdha zhvillimore, ka rënie të të gjithë parametrave ekonomik, ka me mijëra punëtorë që kanë humbur vendet e tyre të punës, nuk ka fare investime të huaja, ka stagnim në investimet kapitale, ka mungesë të parave buxhetore…Ekspertët, analistët e arsyeshëm dhe njohësit e zhvillimeve aktuale, të krijuara nga pasojat e COVID-19 dhe jo vetëm nga kjo pandemi e frikëshme, më kot alarmojnë për kolaps social dhe ekonomik që ka kapluar tashmë Kosovën, madje pa mbërritur vjeshta e pritshme për të qenë e rëndë, e vështirë dhe gjithsesi shumë kaotike. Për fat të keq, tonin, parashikimet e ekspertëve janë të vërteta. Kosova i ka punët keq, madje shumë keq. Sipas zhvillimeve të muajve të fundit, gjendja e vështirësuar ka arritur në përmasa të tronditjes politike, ekonomike e sociale.
Në këtë vështrim do të përqëndrohemi vetëm në krizën ekonomike e sociale që ka përfishirë vendin tashmë dhe që pritet të ashpërsohet edhe më në muajt në vijim. Nuk ka më dilema, për shkak të dështimeve zingjir të menaxhimit të pandemisë dhe dështimit të ndërmarrjes së masave për zbutjen e pasojave ekonomike e sociale nga COVID-19, Kosovën e pret një vjeshtë e zezë me një krizë të thellë ekonomike e sociale. Të gjithë parametrat zhvillimor flasin për këtë parashikim të zymtë. Që tani dihet se si pasojë e pandemisë COVID-19, buxheti i shtetit të Kosovës brenda gjashtë muajve ka më pak të hyra për afro 100 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Këtë e kanë deklaruar zyrtarët e Administratës Tatimore dhe ata të Doganës së Kosovës, dy institucioneve kryesore për mbushjen e buxhetit të Kosovës.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës deklaroi këto ditë për medie se në periudhën janar –korrik ka pasur rënie të të hyrave në vlerë 74 milionë euro, ose për periudhën janar –korrik, taksat kanë pësuar ulje për 11.7 për qind më pak se vitin e kaluar. Vjet kishim 636 milionë euro, kurse gjatë këtij viti kemi 568 milionë euro. Doganat e Kosovë për arkën e shtetit për vitin 2020 duhet të grumbullojë mbi 1,2 miliard euro, ndërsa nga Administrata Tatimore e Kosovës rreth 600 milionë euro.
Edhe drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj në fillim të këtij muaji ka bërë të ditur se në vitin 2020 janë mbi 23 milionë euro më pak të hyra të mbledhura nga ky institucion.
Sipas të dhënave të ATK-së, në gjashtëmujorin e vitit 2019 të hyrat tatimore në Kosovë kanë qenë në vlerë prej 239.5 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2020 janë mbledhur 215.9 milionë euro.
Ndërkohë, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami këmbëngulë se sipas parashikimeve do të ketë rënie të madhe të të hyrave të rregullta të buxhetit., përkatësisht, sipas saj, gjatë vitit 2020 do të ketë 232 milionë euro më pak të hyra.
Në anën tjetër, Banka Botërore dhe Fondi Monetarë Ndërkombëtare kanë parashikuar tkurrje të ekonomisë së Kosovës në vitin 2020 për mbi 5 për qind. Dhe, nëse vashdojnë këto ecuri, për çka gjasët janë fare të mundshme, problemet e shumta dhe të mëdha ekonomike të kosovës do të shpërfaqen në tremujorin e tretë të këtij viti. Në vjeshtë pra pritet rënie e paparë e ekonomisë.
Pse kaq vrullshëm e kaploi kriza ekonomike Kosovën. Po, një numër i madh problemesh janë pasojë e pandemisë. Kjo nuk mund të mohohet. Por probleme të shumta të paraqitura në lidhshmëri me pasojat pandemike në Kosovë janë rrjedhojë i papërgjegjësisë, paaftësisë, dhe neglizhencës së udhëheqjes së këtij vendi. Kjo udhëheqje u tregua e pa aftë, pa ide dhe e papërgjegjshme në përballjen me pasojat e pandemisë. Pikë së pari u vonua në marrjen e masave të nevojshme për të sfiduar dhe për të zbutur problemet e shkaktuara në COVID-19. Ndryshe si të shpjegohet fakti se në Kosovë ende janë duke u zbatuar masat e fazes së parë për zbutjen e pasojave, ndërsa në vendet përreth nesh (në Maqedoni dhe në Malin e Zi, vende këto me të cilat pak a shumë mund të krahasohemi) tashme kanë ekzekutuar në tërësi fazën e dytë dhe janë duke zbatuar fazën e tretë të masave për zbutjen e pasojave ekonomike-zhvillimore të shkaktuara nga pandemia.
Për papërgjegjësinë e zyrtarëve kosovarë flasn vonesat e pa asnjë arsye e miratimit të disa ligjeve të nevojshme dhe të domosdoshme për të pranuar ndihmat dhe donacione të ndryshme nga bota. Dihet, një numër i madh ligjesh të domosdoshëm për të funksionuar masat anti-pandemi dhe për zbutjen e pasojave nga kjo e keqe e madhe u zvarritën me javë e muaj për t’u miratuar për shkak të tekeve të deputetëve të disa partive politike dhe papërgjegjësisë së disa të tjerëve për ta shmangur votimin në Kuvend. Kush na ka faj që as në tentativën e dytë nuk arrihet të votohet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, aq i nevojshëm për zhvillimet aktuale ekonomike. C’është më keq, dështimi i miratimit të këtij ligji bëhet për herë të dytë për mungesë kuorumi në Kuvendin e Kosovës. Ish deputeti Muhamet Mustafa e ka quajtur luftë primitive mungesën e kuorumit për votimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike. “Lufta primitive partiake, popullzimi manipulativ, neglizhenca e papërgjegjësia, apo të gjitha së bashku kundër interesit publik dhe nevojës për të mbështetur aktivitetet ekonomike dhe nevojat sociale në kushte të rënda të përballjes me COVID 19!, ka thënë ai.
Ndërsa Arian Zeka i OEAK rreth këtij rasti thotë se “ajo që është për keqardhje është se nuk po pranohet ideja e një konsensusi ekonomik dhe shembulli i mosvotimit i Projektligjit për Rimëkëmbje është dëshmia e kësaj. Sërish deputetët mund të vazhdojnë të përplasen me mospajtimet me shtete fqinje dhe çështje të tjera politike, por sa i përket aspekteve ekonomike duhet konsensus më i madh sepse kjo do të garantonte qasje më strategjike që do të ndiqej përgjatë viteve tjera”.
Dhe deputetëve kosovarë nuk u bëhet vonë. Për ta nuk ka krizë as ekonomike as sociale. Ata vazhdojnë të gëzojnë beneficionet që ua siguron mandati i deputetit, pavarësisht se “luftës primitive” të mungesës së kuorumit në Kuvend dhe pavarësisht konditave të rënda të shkaktuara nga pandemia.
(Kjo kolumne u shkrua ekskluzivisht për Buletinin Ekonomik)