LDK-ja akuzohet për privatizim të dialogut

Lidhjes Demokratike (LDK) që udhëheq me Qeverinë, i është vënë etiketa e “privatizueses” së përfaqësimit të Kosovës në valën e re të negociatave me Serbinë. Kundër kësaj qasjeje, janë pozicionuar edhe aleatë të saj qeverisës.

Pas kumtit që ka dhënë Gjykata Speciale në lidhje me dyshimet se presidenti Hashim Thaçi është në mesin e të dyshuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Kosova është përfaqësuar në dialog vetëm nga kryeministri Avdullah Hoti. Kreu i Qeverisë, në konsultim me Thaçin e pa i pyetur partnerët e koalicionit, e ka emëruar për koordinator në këtë proces, bashkëpartiakun e tij, Skënder Hyseni. Kjo ka bërë që, për procesin, ai të mos e ketë mbështetjen as të opozitës, por as të partnerëve të koalicionit, shkruan sot KOHA Ditore.

Imer Mushkolaj është publicist dhe thotë se liderët politikë dhe po ashtu liderët institucionalë, kanë punuar për të krijuar ambient totalisht armiqësor sa i përket arritjes së një uniteti politik, edhe për çështjen e dialogut. Ai ka konsideruar se ky ambient është rezultat i punës, që e ka quajtur të mbrapshtë, e që e kanë bërë këta liderë, duke provuar herë njëri dhe herë tjetri të marrin meritat për gjithçka çfarë ka ndodhur në dialog.

Reklama e sponzorizuar

“Tash jemi në një situatë ku në mënyrë deklarative flitet për nevojën e një unifikimi të spektrit politik, por në praktikë nuk ndodh asgjë. Partitë politike të opozitës refuzojnë ftesat e kryeministrit për t’u bërë pjesë e dialogut, por në këtë rast unë shoh probleme te vetë qasja që e ka kryeministri, respektivisht që e ka LDK-ja karshi dialogut. E kam përshtypjen sikur LDK-ja po dëshiron ta personalizojë këtë çështjen e dialogut, pra t’i personalizojë edhe meritat sa i përket vazhdimit të dialogut”, ka thënë Mushkolaj. “Kam parasysh këtu deklaratat e thëna nga kryeministri se tashmë paska arritur ai që t’i rikuperojë, sipas tij, ato dëmet që i ka krijuar Qeveria Kurti me SHBA-në, por një sinjal i qartë në këtë që po e them dhe që ma forcon këtë bindje sa i përket përvetësimit ose personalizimit të dialogut, është edhe emërimi i një eksponenti të LDK-së si koordinator për dialogun, në këtë rast i z. Skënder Hyseni”.