Njoftim nga MPMS për familjet që aplikun për ndihmën 130-euroshe

Familjet në Kosovë që kanë aplikuar për ndihmën prej 130 eurove në muaj do të mund të ankohen deri më 31 gusht, është bërë e ditur të martën, përmes një njoftimi të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).

Këtu, sipas ministrisë, përfshihen “të gjitha familjet të cilët kanë aplikuar për asistencë mujorë në vlerë prej 130 eurosh, sipas Masës Nr.15 të Pakos Emergjente Fiskale dhe të cilat deri me tani nuk kanë pranuar njoftim zyrtar përmes mesazheve telefonike apo kontaktimit të drejtpërdrejtë nga institucionet i nivelit qendror apo lokal”.

Ata, sipas njoftimit, këtë gjë mund ta bëjnë duke u paraqitur në Qendrat për Punë Sociale të komunës së tyre.

Reklama e sponzorizuar

“Çdo familje, që ka aplikuar për këtë masë do të marrë vendimin së bashku me raportin e krahasimit të të gjeturave me sistemet elektronike të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK) dhe krahasimin me Skemat Pensionale dhe Sociale të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”, shkruan në njoftim.