Gjatë muajit korrik në Kosovë pati rritje të çmimit të bukës, dritharëve, e duhanit.
Gjithashtu, rritje pati edhe te çmimet e naftës dhe benzinës dhe shërbimeve për transport.
Kështu bëhet e ditur në “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin korrik 2020 të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
“Ndërsa, rritja e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.5%); duhan (1.5%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (3.1%)-(ngritje e çmimeve të naftës dhe benzinës), shërbime për transport (5.9%)-(ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK”, thuhet në raport.
Ndërsa, rritja e çmimeve të korrikut të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar është më e madhe.
Çmimi i bukës u rrit për 2.4%, mishit për 1.1%, dhe qumësht, djathë dhe vezë për 2.1%.
“Rritja e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.4%); mish (1.1%); qumësht, djathë dhe vezë (2.1%); pemë (5.6%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (4.5%); kafe, çaj dhe kakao (5.9%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.5%); duhan (2.1%); produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (5.0%); shërbime ambulantore (5.5%); blerje e automjeteve (0.8%); shërbime hoteliere (2.8%); kujdes personal (1.7%); gjëra personale (3.3%); sigurime (19.7%) – (ngritje e çmimeve të sigurimeve të automjeteve), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.3 për qind në IHÇK”, thuhet më tej në raport.