Telekomi angazhoi kompani për ta analizuar kontratën me Z Mobile me çmim trefish më të shtrenjtë

Telekomi i Kosovës më 2019 kishte angazhuar kompani me çmim trefish më të shtrenjtë për t’i bërë analizë financiare kontratës MSA- mes Telekomit të Kosovës dhe Dardafon-it.

Fillimisht për këtë shërbim ishin planifikuar 30 mijë euro, por ndërmarrja i ka paguar gjithsej 93 mijë e 220 euro operatorit ekonomik që kishte fituar kontratën për ta analizuar kontratën, përcjell Buletini Ekonomik.

Telekomi po ashtu e kishte kryer procedurën e negociuar të prokurimit pa publikim të njoftimit për kontratë dhe e kishte cilësuar si rast ekstrem emergjent, edhe pse menaxhmenti i Telekomit ishte i informuar për kërkesën e një analizë të tillë që nga gushti i 2018-s.

Reklama e sponzorizuar

“Si rrjedhojë, për shkak të mos planifikimit me kohë dhe aplikimit të procedurës së papërshtatshme të prokurimit të cilësuar si rast emergjent, Kompania kishte kryer aktivitetin duke shpërblyer operatorin ekonomik me kontratë në vlerë 93,220€, e që në krahasim me shumën e planifikuar për këtë analizë prej 30,000€, diferenca prej 63,220€ kishte shkaktuar kosto shtesë në dëm të Kompanisë”, thuhet në raportin e fundit të ZKA-së për auditimin e ndërmarrjes së Telekomit.

Buxheti trefish më i lartë për këtë lloj shërbimi, pra gjithsej edhe 63 mijë euro të tjera që i ka marrë operatori që kishte fituar kontratën, ishin miratuar nga vet Bordi i Drejtorëve të Telekomit.

Sipas Auditorit, kostot shtesë ishin si rrjedhojë e ofertës të pranuar nga vetëm një operator ekonomik si dhe kushteve të panegociueshme nga operatori lidhur me çmimin për përgatitje të analizës brenda një afati të shkurtër kohor, si dhe arsyetimeve të menaxhmentit të ndërmarrjes për pranimin e ofertës duke marrë për bazë nevojat emergjente për këtë analizë. Sipas pohimeve të zyrtarit kryesor të prokurimit, procedura emergjente ishte përdorur, pasi që ky departament nuk ishte informuar me kohë nga menaxhmenti për përfshirje të aktivitetit në planin vjetor të prokurimit, edhe pse një gjë e tillë siç u cek më lartë ishte bërë e ditur që nga gushti i 2018-s. /Buletini Ekonomik/