Thaçi dekreton Ligjin për Buxhetin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njofton se ka dekretuar Ligjin për Buxhetin, të cilin thotë se e ka pranuar pasditen e së mërkurës.

“Sapo dekretova Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, të cilin e kam pranuar dje pasdite. E bëra dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët tanë dhe të zbuten pasojat e pandemisë”, njofton Thaçi përmes Facebook-ut.

Thaçi tutje thekson se hyrja në fuqi e Ligjit për Buxhetin, është domosdoshmëri.

Reklama e sponzorizuar

“Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, por hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Ekzekutivi i vendit jam i bindur se do të gjejë hapësirë dhe mundësi për t’i trajtuar të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit sektorialë. Por, prioritet dhe qëllim i përbashkët i të gjithë neve është lehtësimi i pasojave të pandemisë dhe menaxhimi sa më i mirë i kësaj situate”, përfundon Thaçi.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit më 30 korrik, ishte miratuar me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.