Ndonëse, bankat komerciale kanë qenë të gatshme të aprovojnë kredi edhe në kohë pandemie, kosovarët iu janë shmangur atyre.
Nga Banka Qendrore e Kosovës thonë se kreditimi po ngadalësohet me gjithë trendin rënës të normave të interesit.
E, siç duket kosovarët këtë vit po ia kanë frikën që të huazojnë para nga bankat, për shkak të gjendjes ekonomike si pasojë e pranisë së koronavirusit në vend.
Gjatë muajve të pandemisë, prill-maj-qershor, kreditë e reja janë në nivel shumë më ulët krahasuar me vitin e kaluar.
Gjatë gjashtë muajve të parë të 2020, vlera e kredive të reja të dhëna nga bankat komerciale ishte 592 milionë euro (699 milionë ishte në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar).
Kështu ka thënë për IndeksOnline, zëdhënësi i Bankës Qëndrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti.
Sipas të dhënave, stoku i kredive bruto në fund të muajit qershor 2020 është rritur për rreth 38 milionë krahasuar me muajin maj 2020, mirëpo kreditimi po ngadalësohet me gjithë trendin rënës të normave të interesit.
Kreditë e reja në muajt prill, maj e qershor 2020 janë në nivel shumë më ulët krahasuar me vitin e kaluar”, tha ai.
Ahmeti shtoi se gjatë muajit prill bankat kanë dhënë kredi të reja, që kanë arritur vlerën e mbi 40 milionë eurove.
Gjendje e njëjtë është edhe në muajin maj e qershor.
“Vlera e kredive të reja në muajin maj 2020 ishte 61 milionë euro, kurse në maj të vitit të kaluar ishte 140 milionë euro.
Ndërsa vlera e kredive në muajin qershor 2020 është 99 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte 128 milionë euro”, tha ai.
Ahmeti tha se më së shumti janë marrë kredi shërbyese dhe industriale, të përcjella nga kreditë bujqësore.