BQK: Çmime të reja të sigurimit të veturave nga viti i ardhshëm

Me fillimin e vitit të ardhshëm pritet që në Kosovë të ketë tarifa të reja për mbulimin e autopërgjegjësisë për sigurimin e veturave. Kështu u tha gjatë një konference për media të mbajtur sot, mes BQK-së dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, përcjell Buletini Ekonomik.

Në këtë takim, BQK tha se ata kanë ndërmarrë një varg reformash të nevojshme në sektorin e sigurimeve në vend. Një ndër to është edhe vendimi për uljen e çmimit të TPL-së për sigurimin e automjeteve, i cili do të bazohet në karakteristikat individuale të rriskut për çdo automjet në rrugët e Kosovës.
Kjo nënkupton se çmimi i sigurimit duhet të avancohet që të sigurojë mbulimin e rrezikut, si dhe çmimet të jenë të percaktuara nga tregu i lirë. Pra, BQK dhe AKK kanë marrë vendim që modeli i TPL-së të jetë i bazuar në riskun individual të të siguruarit.

Sokol Havolli, zëvendësguvernator i BQK-së, tha se performanca e sektorit të sigurimeve në Kosovë është e brishtë. Ai tha se në industrinë e sigurimeve janë shtuar 11 milionë euro kapital nga aksionarët me kompanitë e tyre, dhe javën e fundit të këtij muaji pritet t’iu kthehen 3 milionë euro po këtyre aksionarëve.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, tha se i kanë ofruar zgjidhje BQK-së që tarifat e reja të bazohen në parimin e tregut të lirë, që si i tillë është bazë e sistemit të Kosovës. Ai tha se si rekomandim për BQK-në ka qenë që të fillohet përgatitja me një sërë tarifash të lejuara “tavan-dysheme”, dhe të kalohet në tregun e liberalizuar prej vitit të ardhshëm.

Ai tha se nuk ka mundësi të shkohet në liberalizim total si në vendet evropiane, por duhet të shkohet në fazën e dytë ” tavan dysheme”, dhe me këtë rast do të zhvillohet gara mes kompanive të sigurimeve.  Pas garës, kompanitë do të mundohen të rrisin efikasitetin dhe ta zbresin çmimin.

“E nëse shkohet me fazën e tretë të liberalizimit total, ka rrezik për kolaps total”, vazhdoi Prestreshi. /Buletini Ekonomik/