Mijëra euro janë keqpërdorur nga zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) gjatë vitit 2019, përmes faturave fiktive.
Auditori i Përgjithshëm në këtë ministri gjeti raste të shpenzimit të parasë publike, pa mbulesë.
“Në tre raste (avanse për udhëtime në Francë akomodimi 450 euro, Shqipëri akomodimi 255 euro dhe akomodimi 273 euro në dëshmitë për pagesë mungonte fatura e akomodimit apo bashkëngjitur ishin dokumente të cilat nuk përmbajnë elementet e faturës, thuhet në raportin e Auditorit.
Dallavere u kryen edhe me mëditje. Në tre raste, avanset e kalkuluara për mëditje si në Gjermani 252 euro, Shqipëri 156 euro dhe Londër 364 euro, pagesat për mëditje janë kompensuar 100%, edhe pse nga dëshmitë, Auditori thotë se një pjesë e shpenzimeve të ushqimit ishin të mbuluara nga pala pritëse.
Ndërsa, në tre raste tjera të udhëtimeve, avansi për akomodim ishte paguar më tepër sesa lejohet me rregullore. “Për Gjermani 144€, Francë 524€, dhe Slloveni 138€ ( e cila sipas ministrisë është ndikuar nga ri programimi i udhëtimit). Për këto pagesa nuk ishte dokumentuar aprovimi nga ZKA/mbikëqyrësi”, vlerëson Auditori.
Ndryshe, Udhëzimi 2004/07 për udhëtime zyrtare specifikon se arsyetimi i mjeteve të shpenzuara bëhet me fatura. Kufiri i shpenzimeve të lejuara për mëditje kalkulohet varësisht nga shpenzimet e mbuluara nga pala pritëse. Auditori thotë se nga testimi i 5 mostrave rezulton se nuk ishte respektuar ky udhëzim.Mos arsyetimi i mjeteve me faturë si dhe mos respektimi i kërkesave dhe limiteve të përcaktuara me rregullat përkatëse, rrit rrezikun e keqpërdorimit me paranë publike. Ndërsa mos efikasiteti i kontrolleve me rastin e mbylljes së avanseve,rrit rrezikun e moskthimit të mjeteve dhe shfrytëzimin e pa autorizuar të tyre”, thotë Auditori. /Buletini Ekonomik/