Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar nga qeveria e vendit që të heqë kufizimin aktual të orarit të punës dhe t’ua mundësojë funksionimin deri në 23:30. Gjatë kësaj periudhe ata kanë kërkuar t’iu lejohet puna në ambientet e mbyllura e të ketë pako ekonomike ndihmëse. Nëse këto kërkesa nuk plotësohen, kjo shoqatë ka paralajmëruar edhe protesta.
Në një reagim në rrjete sociale, kjo shoqatë ka thënë se gjendja në gastronominë e vendit çdo ditë e më shumë po rëndohet.
“Çdo ditë kemi vdekje ekonomike dhe çdo ditë detyrohemi të kemi largime nga puna”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.
“Nuk është zgjidhje e vetme që shteti i Republikës së Kosovës ta rrisë buxhetin e tij duke dënuar bizneset dhe qytetarët, pasi që këta të fundit kanë gjithashtu kriza ekonomike, ne mendojmë që duhet përdorur metoda stimuluese dhe jo ndëshkuese sepse nuk është koha. Nuk i keni subvencionuar asnjë nga bizneset që t’i dënoni, prandaj duhet marrë shembull shtetet evropiane të cilët deri në 80% i kanë dalë në ndihmë bizneseve. Gjithashtu shembull mund të merret edhe rajoni siç është Maqedonia e cila i ka subvencionuar pagat e punëtoreve për pesë (5) muaj më radhë”, ka thënë tutje kjo shoqatë, që ka shtuar se nuk jep përgjegjësi për bizneset që në mënyrë të pavarur thyejnë rregullat e përcaktuara.
“Duke pasur parasysh rrethanat, dëmet dhe barrierat e krijuara nga pandemia duhet që të ketë konsideratë për bizneset që të mos sanksionohen, edhe karakteri i politikave të shtetit duhet të jetë më i butë dhe mbështetës për sektorin e gastronomisë”, thuhet në kërkesën e shoqatës.
Kjo shoqatë ka thënë se e sheh të panevojshëm kufizimin e lëvizjes deri në orën 22:30. Sipas saj, bizneseve duhet t’u lejohet funksionimi në hapësira të mbyllura, “shteti dhe institucionet e tij nuk ofrojnë asnjë ndihmë financiare apo ndonjë alternative tjetër përkrahëse ndaj bizneseve të Gastronomisë në Kosovë”.
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka paralajmëruar po ashtu që nga nesër, e mërkurë, do të nis me mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve për ndryshimin e vendimeve.
Në fund, shoqata ka publikuar një listë kërkesash për institucionet vendore:
1. Thirrje të seancës në parlament për ta ndryshuar orarin
2. Të zgjatet orari i punës deri 23:30
3. Të lejohet puna në hapësira të mbyllura
4. Të përcaktohet një manual i saktë për respektimin e distancës dhe masave mbrojtëse në hapësirave të mbyllura
5. Të ndihmohen bizneset me pako ekonomike
Ajo ka paralajmëruar se do të shfrytëzojë të gjitha të drejtat që i lejohen me ligj për të kundërshtuar mosplotësimin e kërkesave të gastronomeve. Këtu s’ka përjashtuar as protestën.