Gjykata Themelore në Gjakovë, të hënën, e ka dënuar me 300 euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht të akuzuarin për dhënie të ryshfetit, Andon Vasiliu
Dënimi me kusht ndaj të akuzuarit Vasiliu nuk do të ekzekutohet, nëse në periudhën dy vjeçare i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Mentor Bajraktari, i akuzuari Vasiliu është i obliguar që gjobën ta paguaj në afat prej 15 ditësh, pas marrjes së aktgjykimit në formë të shkruar.
Me aktgjykim është bërë edhe konfiskimi i bankënotës prej 5 euro, si objekt i veprës penale.
I akuzuari gjithashtu është obliguar të paguaj shpenzimet procedurale në shumë prej 50 euro, si dhe 50 euro në emër të viktimave të krimit.
Paraprakisht, në seancën fillestare të së hënës, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni, Vasiliu e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.
I njëjti ka deklaruar se ndjehet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe se pendohet për rastin që i ka ndodhur.
Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Andon Vasiliu po ngarkohet me veprën penale “dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 19 shkurt 2020, rreth orës 11:50, në pikën kufitare Qafë Prushë, ka ofruar dhuratë në mënyrë që personat zyrtarë të mos veprojnë në pajtim me detyrën zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që derisa zyrtarët policor e ndalojnë automjetin “VW Passat”, të cilën e drejtonte i pandehuri, me qëllim të regjistrimit të automjetit i pandehuri ia ofron dokumentet personale për regjistrim dhe pasaportën zyrtarit policor Sali Berisha, ku brenda pasaportës kishte vendosur një kartëmonedhë prej 5 euro.
Këtë veprim, sipas aktakuzës, i akuzuari e kishte bërë në këmbim të lehtësimit të kontrollit kufitar, pasi që në veturë ai kishte pllaka të mermerit, për t’i dërguar për montim në fshatin Nivokaz.