Indeksi Global i Inovacionit e rendit Zvicrën si ekonominë më inovative në botë .
Indeksi i fundit Global i Inovacionit nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO) rendit 131 ekonomi sipas ecurisë së tyre në inovacion. Në krye të listës? Zvicra, e cila gjithashtu zuri vendin e parë vitin e kaluar. Në fakt, ajo tashmë është e para për të dhjetin vit radhazi. Suedia zë vendin e dytë, dhe Shtetet e Bashkuara të tretin.
Pse është kaq e suksesshme Zvicra?
Zvicra ka rezultate mjaft të mira në të shtatë fushat e indeksit, sidomos në shpenzimet e larta për kërkim dhe zhvillim dhe sektorin inovativ të biznesit. Ajo gjithashtu renditet shumë mirë në cilësinë e inovacionit – e dyta pas Shteteve të Bashkuara. Kjo falë “cilësisë së lartë të universiteteve dhe botimeve shkencore”, por edhe përpjekjeve për të “ndërkombëtarizuar shpikjet e saj”.
Si matet inovacioni?
Indeksi bazohet në dy nënindekse – Nënindeksi i Inovacionit Input dhe Nënindeksi i Inovacionit Output. I pari analizon elementet e ekonomive kombëtare që bëjnë të mundur aktivitetet inovative – si kërkim dhe zhvillim – ndërsa i dyti, rezultatet e këtyre aktiviteteve, për shembull mallrat dhe shërbimet krijuese. Më pas, për të matur rezultatin e përgjithshëm, merret mesatarja e dy indekseve, secili me peshë të barabartë. WIPO nuk është organizata e vetme që mat inovacionin. Raporti i Konkurrencës Globale nga Forumi Ekonomik Botëror studion gjithashtu aftësinë e ekonomive në inovacion.
Në renditjen e vitit 2019 të atij raporti kryesoi Gjermania, më pas SHBA në vendin e dytë dhe Zvicra në të tretin.
Si ka ndikuar COVID-19? Autorët e Indeksit Global të Inovacionit paralajmërojnë se kriza COVID-19 “ka goditur inovacionin në një kohë kur ai po lulëzonte”.
Duke pasur parasysh ndikimin ekonomik global dhe goditjen në rritjen ekonomike, ata pyesin nëse do të ketë ende vendosmëri për të nxitur inovacionin? Në veçanti, raporti ngre pyetjen se “kush do ta financojë inovacionin”? Në një kohë kur masat e ndihmës urgjente nuk synojnë drejtpërdrejt financimin e inovacionit – me përjashtim të shëndetësisë – raporti kërkon që të zgjerohet mbështetja për inovacion, sapo pandemia të jetë vënë nën kontroll.
“Është thelbësore që mbështetja për inovacion të bëhet më e gjerë dhe që ajo të kryhet në një mënyrë kundërciklike – d.m.th., teksa bien shpenzimet e inovacionit në biznes, qeveritë duhet të përpiqen ta kundërshtojnë këtë efekt duke rritur shpenzimet e tyre në inovacion, madje edhe nëse kjo nënkupton rritjen e borxhit publik”. /World Economic Forum/