ZRRE ankohet në Supreme, kërkon udhëzime se si të zbatohet vendimi për tarifat e rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) mbrëmë ka njoftuar se është duke kërkuar udhëzime për zbatimin e vendimit të para disa ditëve të Gjykatës së Apelit, i cili anulonte vendimin për shtrenjtimin e tarifave të energjisë.

Këto udhëzime tashmë ZRRE-ja ka vendosur t’i kërkojë edhe në Gjykatën Supreme, përcjell Buletini Ekonomik.

Më 18 maj, Gjykata e Apelit vërtetoi se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji, ishte i drejtë. Kurse, ankesa e ZRRE-së është refuzuar si e pabazuar.

Reklama e sponzorizuar

Nga ZRRE-ja kanë thënë se Bordi i saj më 20 maj ka marrë vendim që të zbatojë aktvendimin e Gjykatës së Apelit, duke shtyrë kështu edhe ekzekutimin e vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.

Ata njoftojnë se vendimi tashmë është publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së, dhe se i njëjti i është dërguar edhe operatorëve të rregulluar në sektorin e energjisë.

Ndërkohë, pas këtij vendimi, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) me energji elektrike ka kërkuar udhëzime nga ZRRE-ja lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të ZRRE-së, pas Aktvendimit nga Gjykata e Apelit.

KOSTT, po ashtu përmes një reagimi publik, është shprehur se situata e krijuar pas Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, rrezikon sigurinë e furnizimit me energji elektrike si dhe marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E.

Prandaj, ZRRE-ja si organ rregullues i sektorit të energjisë në vend, është shprehur se “Duke qenë se aktvendimet nuk përmbajnë sqarime se si të zbatohen ato, duke krijuar paqartësi të mëdha të zbatimit, ZRRE i është drejtuar gjykatave kompetente për udhëzime se si të zbatohet aktvendimi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike”, thonë nga ZRRE.

Njëra prej këtyre organeve juridike, që ZRRE-ja tashmë i është drejtuar për sqarime shtesë, është Gjykata Supreme.

“Njëkohësisht, ZRRE i është drejtuar Gjykatës Supreme përmes ushtrimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike. ZRRE është duke u konsultuar me të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës si dhe palët tjera të interesit, që sa më shpejtë të gjejë zgjidhje për mënyrën e implementimit të vendimit”, thuhet në një njoftim për media nga ZRRE.

Ndryshe, tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike kanë hyrë në fuqi më datë 09 shkurt 2022, pas vendimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji./Buletini Ekonomik/