Në kuadër të mbledhjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që do të mbahet në muajin tetor, do të nënshkruhet 15 marrëveshje. Kryeministri Hoti ka treguar se cilat janë këto marrëveshje.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie ka folur për marrëveshjet që do të nënshkruhen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai tha se kanë miratuar 15 marrëveshje që do të nënshkruhet me Qeverinë e Shqipërisë.
“Kemi miratuar 15 marrëveshje qe do ti nënshkruajmë në mbledhjen e përbashkët këtë të premte sepse e thellojnë raportin me Shqipërinë . Kemi marrë një vendim për themelimin e zyrës në Luginë e që do të jetë në shërbim të qytetarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre në fushën e arsimit në mbështetje dhe ruajtje të kulturës në atë pjesë”.
Hoti ka treguar se do të krijohen edhe fonde të përbashkëta mes dy shteteve.
“Përtej kësaj, do të krijohet edhe fondi i përbashkët për ndihmën e qytetarëve në atë pjesë”, tha Hoti teksa shtoi se këto ditë do të zhvillojë takim me kryetarët e Luginës.
Në kuadër të mbledhjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të nënshkruhet edhe disa marrëveshje në fushën e kulturës.
Miratimin e Qeverisë kanë marrë kalendari i përbashkët vjetor ndërmjet ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.
Gjithashtu pritet që të nënshkruhet një marrëveshje në fushën e filmit dhe një memorandum bashkëpunimi.
Qeveria ka miratuar draftin e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Kosovës dhe ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë për platformën e përbashkët digjitale të arsimit para universitar.
Në mbledhjen e ekzekutivit kosovar është miratuar edhe drafti i memorandumit të bashkëpunimit për krijimin e korridorit digjital 5G dhe lehtësimit të lëvizjes në të ardhmen ndërmjet ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Kosovës dhe ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të arrihet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe asaj të Republikës së Shqipërisë në përballje me Covid-19.
Javën e kaluar kryeministri Hoti ka njoftuar se është shtyrë mbledhja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë e paraparë të mbahej këtë të premte.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se mbledhja do të mbahet më 2 tetor.
Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në shtator në Shkodër e kishte paralajmëruar një muaj më parë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Mbledhja e fundit e përbashkët ndërmjet dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë është mbajtur në nëntor të 2018-s në Pejë ku u patën nënshkruar një sërë marrëveshjesh.
Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014.
Mbledhja e parë u mbajt në qytetin e Prizrenit, dhe dy kryeministrat në atë kohë Hashim Thaçi, dhe Edi Rama, e cilësuan takimin historik.