Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka pranuar mbi tetë mijë kërkesa për viza pune vetëm brenda dy javësh, duke treguar interesimin e madh të qytetarëve për të emigruar dhe punuar në Gjermani.
Gazetari shqiptar në Gjermani, Bahri Cani, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se plotësimi i termineve për vitin 2025 reflekton kërkesën e lartë të qytetarëve të Kosovës për të ndjekur një karrierë në këtë shtet evropian.
Procedura për vizë pune
Sipas rregullave të reja, procesi për të marrë një vizë pune në Gjermani kalon në disa faza:
1. Parapëlqimi nga punëdhënësi: Fillimisht, punëdhënësi gjerman duhet të kërkojë një parapëlqim nga Agjencia për Punë në Gjermani.
2. Dërgimi i dokumenteve: Pasi të merret parapëlqimi, punëdhënësi i dërgon aplikuesit në Kosovë kontratën e punës dhe dokumentet e nevojshme.
3. Aplikimi për vizë: Me këto dokumente, aplikuesi paraqitet në Ambasadën Gjermane për të kërkuar një termin për vizë pune. Pas disa ditësh, ai merr terminin dhe vazhdon me procedurat e mëtejshme.
Në total, për vitin 2025 janë parashikuar 50,000 viza pune për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, por çdo shtet ka kuotën e tij të përcaktuar.
Interesimi i lartë për punë në Gjermani vjen si rezultat i kushteve më të mira të punës dhe mundësive më të mëdha për zhvillim profesional, ndërsa kërkesa e madhe mund të ndikojë në kohën e pritjes për viza.









