Në bazë të Udhëzimit Administrativ MF-NR. 07/2019 – Për Strukturën, Përmbajtjen dhe Dorëzimin e Raportimeve Financiare Vjetore, janë përcaktuar obligimet e ndërmarrjeve për përpilimin, raportimin dhe nënshkrimin e Pasqyrave Financiare vjetore duke filluar nga ato të vitit raportues 2019, e për të cilat raportimi realizohet gjatë vitit 2020, sipas afateve të përcaktuara në ligj.
Ndër të tjera, ky udhëzim parasheh që: Pasqyrat Financiare për (i) ndërmarrjet e mëdha dhe subjektet tjera me interes publik, (ii) ndërmarrjet e mesme dhe (iii) ndërmarrjet e vogla, duhet të nënshkruhen nga drejtori ekzekutiv dhe nga zyrtari kryesor financiar dhe nëse drejtori financiar apo zyrtari kryesor financiar nuk është i certifikuar si kontabilist, atëherë pasqyrat i nënshkruan edhe kontabilisti, i cili është anëtar me status të rregullt në një shoqate profesionale të kontabilitetit dhe auditimit, dhe emri i tij figuron në listën publike të kontabilistëve të certifikuar të publikuar nga shoqatat e licencuara nga KKRF (neni 1.3 & 8 i UA-MF 07/2019). /Buletini Ekonomik/