Në renditjen e kompanive më të mëdha në Shqipëri vijojnë të mbizotërojnë kompanitë tregtuese të naftës. Rajoni po profilizohet në industrinë prodhuese, duke rritur eksportet me vlerë të shtuar dhe duke e lënë në fund vendin tonë për këtë tregues.
3 kompani nga 10 të mëdhatë në Maqedoni janë prodhues të mëdhenj të industrisë automotive. Serbia po bëhet lider në teknologjinë e informacionit
Nga Ornela Liperi
Investimet në zgjerimin e kapaciteteve, rritja e eficencës, kalimi drejt teknologjive të gjelbra dhe fokusi te novacionet ishin elementet kryesore të strategjive të kompanive më të mëdha në Europën Juglindore gjatë viteve të fundit, teksa përpiqen të kapin kolegët e tyre të Europës Perëndimore.
Sidoqoftë, për të shfrytëzuar këtë potencial, është e rëndësishme që ata të akordojnë më shumë para për kërkime. Shëndeti i mirë i industrive themelore të rajonit siguron baza të forta për një fokus më të mprehtë në inovacione.
Raporti vjetor i “See News”, një publikim që bën renditjen rajonale të kompanive më të mëdha në Europën Juglindore, e vë theksin te përshtatja e kompanive ndaj ndryshimeve teknologjike, por edhe sociale.
Sektori i automobilave është ndër industritë më të shpejta në zgjerim në të gjitha vendet e rajonit, për sa i përket kontributit ndaj PBB-së, rritjes së kapacitetit prodhues, vëllimit të investimeve dhe krijimit të vendeve të punës, sidomos në Serbi dhe Maqedoni. Në të dy këto shtete, kompanitë e sektorit prodhues renditen ndër më të mëdhatë, sa i takon qarkullimit vjetor dhe punësimit. Një kontrast total me Shqipërinë, ku në renditje kryesojnë sipërmarrjet tregtuese, sidomos ato të karburanteve, ndërsa vëmendjen kryesore, vitet e fundit, e kanë marrë koncesionet. Lexo shkrimin e plotë këtu
Tre prodhues për pjesë automjetesh në Maqedoni renditen sërish ndër 10 më të mëdhenjtë sipas qarkullimit vjetor (me mbi 8,000 të punësuar në total), ndryshe nga Shqipëria që ka në këtë listë katër subjekte që tregtojnë karburante me shumicë, një aktivitet pa vlerë të shtuar dhe pa kontribut në punësim.
Serbia është një tjetër shtet konkurrues në rajon, edhe për shkak të traditës që ka në industrinë automotive.
Në këtë garë rajonale, Shqipëria është në fillesa. Katër sipërmarrje kanë hyrë në këtë sektor vitet e fundit, “Forschner”, “PSZ Albania” dhe së fundmi “Delmon” dhe “Yura”. Por asnjëra prej tyre nuk ka arritur ende të hyjë në listën e “Monitor 200”.
Krahu i lirë i punës, pozicioni gjeografik i favorshëm dhe maturimi i tregut të fqinjëve me fabrika të industrisë automotive që kryejnë procese të thjeshta fasoneri, po shërbejnë si shtysë në vendimet e investitorëve që të hedhin sytë nga Shqipëria, por sektori po has vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar.
Jo rastësisht, Serbia dhe Maqedonia janë të pozicionuara më mirë në rebusin se cili shtet do të arrijë të kalojë me më pak pasoja pandeminë e Covid-19. Institucionet ndërkombëtare presin që ato të goditen më pak, sidomos Serbia, e cila vitet e fundit është bërë një nga pionierët e zhvillimit të teknologjisë, jo vetëm në rajon, por po merret si model në të gjithë Europën.
Rajoni, i cili është më i mirëpozicionuar për të përballuar krizën
Një raport i “See News” për efektet e pandemisë në rajon, vlerëson se COVID-19 pritet të rrisë më tej papunësinë në Ballkanin Perëndimor. Bujqësia dhe teknologjitë e informacionit janë sektorët që mund të përfitojnë potencialisht nga pandemia
Në Shqipëri, prodhimi, tregtia dhe turizmi pritet të goditen rëndë nga kufizimet në lidhje me pandeminë, me turizmin që pritet të përballet me rënie të kërkesës dhe punësimit. Ekonomia e Shqipërisë mbështetet shumë te konsumi privat, i cili do të dëmtohet në mënyrë të pashmangshme nga pandemia e COVID-19 dhe kriza ekonomike që ai ka shkaktuar.
Vendi është i brishtë dhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Ndonëse ato janë të larta, dy investitorë kontribuojnë mbi një të tretën e të gjithë IHD-ve, gjë që e bën atë të prekshëm ndaj goditjeve nga vëllimet më të ulëta të investimeve. Vendi nuk ka shumë të ngjarë të vazhdojë politikat e tij të investimeve, duke pasur parasysh pritjet se do të jetë ndër ekonomitë me performancën më të keqe në Europë dhe tashmë ka hyrë në recesion.
Maqedonia e Veriut ka një ekspozim mesatar ndaj humbjeve të parashikuara nga sektorët më të prekshëm nga pandemia COVID-19 dhe si rrjedhojë, një strukturë më të favorshme për të diversifikuar rreziqet ekonomike sesa rivalët e saj rajonalë. Maqedonia e Veriut është një nga vendet e Europës Juglindore me performancën më të mirë, për sa u përket perspektivave për rikuperimin e shpejtë të PBB-së në nivelet e parapandemisë. Këto perspektiva optimiste të rritjes mund të zbehen nga përkeqësimi i besimit të konsumatorit dhe biznesit.
Sipas Bankës Botërore dhe FMN, Serbia është ndër vendet që pritet të rikuperojë të gjitha humbjet në ekonomi në 2021 dhe madje të kalojë pak nivelet e 2019. Serbia pritet të përfitojë nga dixhitalizimi i lartë për shkak të trendit të punës nga shtëpia dhe nevojave të jashtme. Serbia është më pak e ndjeshme ndaj goditjeve të IHD-ve, pasi asnjë investitor i vetëm i huaj nuk llogariti më shumë se 21% të fluksit total të IHD-ve të vendit në 2019.
Bosnja pritet të rikuperohet në nivelet e vitit 2019 vetëm në 2021 ose edhe të qëndrojë nën këtë nivel, duke u vlerësuar me një performancë të ulët. Sektori i shërbimeve në Bosnjë do të marrë barrën kryesore të krizës këtë vit me një rënie prej 2.4%, sipas raportit të Bankës Botërore. Konsumi privat gjithashtu është tkurrur. Vendi është veçanërisht i prekshëm ndaj shkëputjes së zinxhirëve të prodhimit të BE-së dhe ndaj rënies së flukseve hyrëse nga migrantët.
Në Kosovë, rënia e pashmangshme e dërgesave të parave nga diaspora që jeton në BE, së bashku me shtimin e papunësisë për shkak të mbylljes së sektorëve të tërë për dy muaj, do të tkurrin konsumin privat të brendshëm, motorin kryesor të rritjes së PBB-së. Investimet kapitale bruto dhe eksportet gjithashtu do të vuajnë gjatë gjithë vitit 2020, për shkak të uljes së besimit të biznesit dhe tkurrjes së përgjithshme të aktivitetit ekonomik dhe konsumit në Europën Qendrore e Lindore, si dhe në BE – partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës.
Mali i Zi pritet të jetë një nga vendet e EJL-së, që do të goditen më keq nga recesioni i shkaktuar nga COVID-19, si për nga forca dhe kohëzgjatja, si dhe do të pësojë rënien më të thellë në rajon, për shkak të varësisë nga turizmi. Eksportet pritet të bien, kryesisht si rrjedhojë e tkurrjes së të ardhurave nga turizmi. Kjo do të thellojë me tej deficitin tregtar strukturor të ekonomisë malazeze, që ka prodhim të dobët vendas dhe mbështetje të madhe në importe për investime dhe mallra konsumi.
Maqedoni, industria mbështetëse e automjeteve, në rritje edhe në 2019-n
Prej vitesh, Maqedonia po tërheq investime në industrinë automotive, që janë kthyer në gjeneratorë punësimi.
Johnson Matthey DOOEL, prodhuesi maqedonas i katalizatorëve dhe pjesëve të makinave, vijon të jetë më i madhi i Maqedonisë, me të ardhura 1.9 miliardë euro në 2019-n, me një rritje prej 7% me bazë vjetore, sipas të dhënave zyrtare. Numri i të punësuarve po arrin në 1000. Ky subjekt është dhe eksportuesi më i madh në Maqedoni dhe ka dy fabrika.
Kompania është degë e sipërmarrjes britanike, Johnson Matthey Plc, më i madhi në botë për prodhimin e katalizatorëve për makina.
Sipas faqes zyrtare të internetit, kompania mëmë e zgjodhi Maqedoninë për megafabrikën në Europë për prodhimin e katalizatorëve që kontrollojnë emetimet, në konkurrencë me 13 shtete të tjera të rajonit, përfshirë Republikën Çeke, Hungarinë dhe Sllovakinë.
Në vitin 2012, kompania shfaqi interes për t’u zgjeruar dhe në Shqipëri, por Maqedonia u tregua më e “shkathët” dhe arriti t’i tërhiqte dhe për ndërtimin e fabrikës së dytë.
KROMBERG & SHUBERT MAKEDONIJA DOOEL Bitola, me aktivitet në prodhimin e sistemeve elektrike për automjetet, kishte të ardhura 244 milionë euro, me rritje 9.4% me bazë vjetore dhe renditej në vend të gjashtë në 2019-n. Kompania është në rritje të shpejtë, teksa të ardhurat u zgjeruan me 47% me bazë vjetore, ndërsa numri i punonjësve i ka kaluar 6000.
Fabrika e autobusëve të Van Hool në Shkup, e përuruar në vitin 2014, renditet në vendin e 6 (nga i 11-i në 2018-n), me të ardhura 176 milionë euro, në vitin 2019. Kompania ka më shumë se 1 mijë të punësuar. Një porosi e madhe nga tregu amerikan për 500 autobusë nxiti prodhuesin belg të autobusëve të investonte 25 milionë euro në Maqedoni.
Zhvillimi i industrisë së automjeteve ka nxitur eksportet e vendit. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve në Maqedoni ishin gati sa 61.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2019-n, referuar të dhënave të Bankës Botërore, ndërsa në Shqipëri, ky tregues është gjysma, rreth 31%.
Për herë të parë në renditjen e 20 sipërmarrjeve më të mëdha të Maqedonisë ka hyrë dhe Sipërmarrja Publike për menaxhimin e rrugëve shtetërore, me të ardhura prej rreth 140 milionë eurosh. Sipas faqes zyrtare, kjo kompani kryen menaxhimin e rrugëve, propozon programe 5-vjeçare për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, monitoron dhe kontrollon situatën në rrugë, zbaton masa për përdorim racional të fondeve që jepen për rrugët shtetërore, si dhe mbledh tarifat për rrugët shtetërore me pagesë.
Maqedonia ka të zhvilluar dhe industrinë farmaceutike. ALKALOID AD Skopje kishte të ardhura prej rreth 141 milionë eurosh në 2019-n.
Sebia, e orientuar nga industria, prodhimi dhe IT
JP EPS BEOGRAD, kompania shtetërore e energjisë, është më e madhja në Serbi, me qarkullim vjetor 2.47 miliardë euro, me rritje 4.5% me bazë vjetore.
NIS A.D. NOVI SAD, me 2.1 miliardë euro të ardhura, është i dyti më i madh. Sipas faqes së saj të internetit, NIS është kompania më e madhe e energjisë e integruar vertikalisht në Europë, me aktivitet kryesor në shfrytëzimin, prodhimin e rafinimin, shitjen dhe shpërndarjen e një sërë produkteve të naftës, si dhe zbatimin e projekteve të energjisë.
Tigar Tyres, prodhuesi i gomave, që prej vitit 2007 është në pronësi të francezes Michelin, është ngjitur në vendin e katërt, nga i 11-i një vit më parë, me rritje 28% me bazë vjetore, në 890 mln euro. Kompania ka mbi 3,500 punonjës.
FCA SRBIJA D.O.O. KRAGUJEVAC, që është prodhuesi i makinave FIAT, nuk ka pasur një vit pozitiv as në 2019-n. Të ardhurat zbritën në 559 milionë euro nga 773 milionë euro në 2018-n.
Zinxhirët e tregtisë me pakicë janë gjithashtu mjaft të fuqishëm. Delhaize është e treta më e madhe në vend, me 910 milionë euro të ardhura, ndërsa Mercator, në vend të tetë.
Serbia është e orientuar nga industria dhe prodhimi, teksa në renditjen e më të mëdhenjve mbizotërojnë sipërmarrjet në fushën e minierave, gazit, industrisë së çelikut.
E zhvilluar është dhe industria farmaceutike, me tre sipërmarrje ndër 20 më të mëdhenjtë, që i përkasin këtij sektori.
Vendi po përmendet gjithnjë e më shumë edhe për revolucionin e tij teknologjik, “The Economist” shkruante së fundmi se Teknologjia përbën të paktën 6% të PBB-së së Serbisë. Në këtë sektor janë të punësuar të paktën 45,000 persona. Kompanitë e huaja kanë shpenzuar më shumë se 500 milionë dollarë në nismat serbe, n 6 vitet e fundit, thotë Zoja Kukiç, nga Nisma Dixhitale e Serbisë (DSI), e cila mbron interesat e sektorit.
Eksportet e vitit të kaluar pritet të kenë arritur vlerën 1.4 miliardë euro (1.5 miliardë dollarë), duke shënuar rritje prej 55% në vitin 2017. Shifra e vërtetë mund të jetë shumë më e lartë, thotë Nebojsha Gjurgjeviç, kreu i DSI-së. Rregullat e këmbimit valutor nënkuptojnë që pagesat shpesh u dërgohen kompanive të krijuara jashtë vendit dhe askush nuk mund të ndjekë rreth 10,000 individë të pavarur që shpesh operojnë të vetëm.
Ndërsa teknologjia dixhitale është industria që po lulëzon më tepër për momentin në Serbi, litiumi mund të jetë ai që do të shkaktojë bumin e ardhshëm teknologjik. Kompania “Rio Tinto” ka investuar 200 milionë dollarë për të eksploruar një vend pranë Loznicës. Marnie Finlayson, menaxherja e saj e përgjithshme për Serbinë, thotë se minerali do të përpunohej në vend dhe do të ishte furnizuesi më i madh i Europës.
Ndryshe nga shumë miniera të tjera litiumi, kjo do të ndodhej në afërsi, pikërisht aty ku duhej. Makinat “Fiat” janë eksporti i dytë më i madh në Serbi. Zonja Finlayson thotë se deri në vitin 2035, “Rio Tinto” pret që 50% e makinave të jenë elektrike. Nëse bordi i “Rio Tinto” jep miratimin, prodhimi do të fillojë në vitin 2025. Me të gjitha industritë e tjera ndihmëse, ajo thotë se kjo sipërmarrje mund të shtojë “disa pikë përqindjeje në PBB-në e vendit”.
Edhe Bosnja mbahet me tregti e naftë
Bosnjë-Hercegovina ka strukturë të ngjashme të kompanive më të mëdha, sipas qarkullimit vjetor, me të Shqipërisë. Ndër 10 më të mëdhatë mbizotërojnë energjia, tregtia dhe nafta.
Në vendin e parë në renditjen e vitit 2019 ka vijuar të jetë “Holdina d.o.o. Sarajevo”, një nga kompanitë më të mëdha për shitjen e naftës dhe nënprodukteve të saj në tregun me shumicë dhe pakicë në Bosnjë. Kompania kishte një qarkullim vjetor prej 672 milionë eurosh dhe 535 punonjës.
Në vendin e dytë ka vijuar kompania Bingo e Tuzlës, me aktivitet në tregtimin me pakicë, që është më e madhja private në vend, me 635 milionë euro të ardhura. Ajo është dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me rreth 7,600 të punësuar.
Operatori shtetëror i energjisë, Elektroprivreda BiH ka mbetur në vendin e tretë, me të ardhura rreth 543 milionë euro.
Në vendin e katërt ka kaluar ARCELORMITTAL ZENICA, në industrinë e përpunimit të metaleve. Të ardhurat në 2019-n ishin 378 mln euro.
Mali i Zi, i orientuar drejt tregtisë me pakicë e supermarketeve
Teksa Mali i Zi është një vend i orientuar nga shërbimet dhe turizmi, që nxit konsumin, në renditjen e kompanive më të mëdha të Malit të Zi, sipas qarkullimit vjetor, mbizotërojnë subjektet e tregtimit me pakicë e shumicë dhe rrjetet e supermarketeve, me tre të tilla ndër 10 kryesoret.
Si kompania më e madhe në vitin 2019 u rendit operatori i energjisë, Elektroprivreda, me 337 milionë euro të ardhura.
Voli Trade është një tregtues me pakicë, me aktivitet kryesor në linjat e supermarketeve. Me mbi 2000 të punësuar, ai është punëdhënësi më i madh në Mal të Zi, sipas burimeve të veta zyrtare. Të ardhurat e kompanisë ishin 242 milionë euro në 2019-n, duke e renditur të dytin më të madh.
China Road & Bridge Corporation, e cila po ndërton projektin madhor të autostradës Veri-Jug, është në vend të tretë, me të ardhura 172 milionë euro.
Dy zinxhirë të tjerë të mëdhenj supermarketesh në Mal të Zi, që renditen përkatësisht në vend të katërt dhe të shtatë në dhjetë sipërmarrjet më të mëdha janë Hard Discount Lakovic, zinxhiri malazez i hipermarketeve, me 165 milionë euro të ardhura dhe Mercator, linjë e zinxhirit slloven, që në 2019-n raportoi 104 milionë euro të ardhura. /monitor.al/