Ministri Krasniqi inspekton pompat në Jarinjë, në njërën pronari thotë se u njoftua paraprakisht

Nafta
Fotografi ilustruese

Inspektimet për cilësinë e naftës që po i bën ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, bashkë me Inspektoratin e Tregut po dalin të jenë krejt inskenime.

Të enjten, ai ka vazhduar inspektimet në disa pika të derivateve në Mitrovicë të Veriut e njëra prej tyre ishte me licencë të skaduar.

Pronari i saj, prapa kamerave, ka thënë se është njoftuar paraprakisht për vizitën, pavarësisht se nga Ministria dhe Inspektorati nuk e pranuan një gjë të tillë.

Reklama e sponzorizuar

“Ka licencë, por i ka skaduar afati. Ka bërë kërkesë te ne, por është procedura që kërkon kohë për pajisje me arkë fiskale të Republikës së Kosovës. Është afati ligjor që ne mund t’ia japim 30 ditë”, ka thënë ministri Krasniqi.

Ministri ka bërë disa kontrolle edhe në pikën kufitare doganore në Jarinje.

Ai ka thënë se po sigurohet që personalisht të marrë pjesë nëpër inspektime për të parë se a po luftohen kontrabanda dhe krimi i organizuar.

“Së bashku me Inspektoratin e Tregut kemi dalë për të parë nga afër dhe për të inspektuar lidhur me gjendjen e kësaj pike doganore, për të dëshmuar se ne si Qeveri e Kosovës jemi të vendosur që çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës ta inspektojmë dhe t’i luftojmë informalitetin dhe krimin e organizuar”, ka shtuar ai.

Krasniqi u përkujdes që të marrë përgjigje nga doganierët në lidhje me respektimin e vendimit të tij për ndalimin e vajit të palmës dhe mundësinë e kontrabandës me derivate në këtë pikë.

Ai ka thënë se do ta rrisë edhe numrin e inspektorëve, meqë me numrin aktual të tyre është i pamundur inspektimi në tërë territorin e Kosovës.