Edhe pse ka thënë se zëvendësministri Agim Krasniqi po keqkuptohet kur thotë se ekziston mundësia që pagat në sektorin publik të ulen si pasojë e pandemisë, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se kjo mund të ndodhë vetëm nëse do të ketë krizë të thellë në vend.
Sipas saj, nëse krizë e tillë godet Kosovën, secili shpenzim do të rishikohet.
“Për ironi ai edhe po keqkuptohet. Pyetjet që i bëhen është se ‘nëse do të kemi krizë të thellë e pandemia do të vazhdojë a ka mundësi që të rishikohen edhe pagat në sektorin publik’ dhe normalisht që një gjë e tillë nuk përjashtohet asnjëherë. Si Qeveri e Kosovës nëse s’ka të hyra në buxhet natyrisht që të gjitha shpenzimet do të detyrohemi t’i rishikojmë. Por më lejoni të them, që për herë të parë, Qeveria Hoti, nga qeveria drejtpërdrejtë po u zgjatet dora ndërmarrjeve private nga fondi prej 365 milionë eurosh. 122 milionë kanë shkuar te qytetarët. Deri tash kemi 300 milionë euro më pak të hyra. Por përkundër kësaj, për t’iu gjendur sektorit privat, shteti po shfrytëzon kreditë që t’u ndihmojë qytetarëve dhe sektorit privat”, ka thënë ajo në Deskun e KOHËS.
Bajrami ka thënë se aktualisht çështja e pagave në sektorin publik aktualisht s’po diskutohet, por ka theksuar se “s’ka asnjë shpenzim të paprekshëm”.