Ministrja Kusari-Lila u bën thirrje bizneseve të raportojnë çdo tentativë mashtrimi gjatë procesit të granteve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) u ka bërë thirrje bizneseve dhe ndërmarrësve në Kosovë që të raportojnë çdo tentativë mashtrimi gjatë procesit të vlerësimit të aplikimeve për skemat e granteve.

Përmes një njoftimi, ministrja Mimoza Kusari-Lila theksoi se asnjë person nuk është i autorizuar të premtojë miratimin e një aplikimi apo të ndikojë në procesin e vlerësimit, duke theksuar se vendimet do të merren vetëm mbi bazën e kritereve të përcaktuara në thirrjet publike dhe pas përfundimit të procedurave zyrtare.

Sipas saj, çdo individ që pretendon se mund të ndikojë në ndarjen e granteve ose kërkon ryshfet, pagesa apo favore në këmbim të një vendimi pozitiv, po mashtron qytetarët dhe po cenon integritetin e institucioneve.

Ministrja paralajmëroi se raste të tilla do të trajtohen me zero tolerancë dhe se të gjithë personat e përfshirë në skema mashtrimi do të përballen me pasojat ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ajo u bëri thirrje bizneseve të bashkëpunojnë me MINTI-n për të garantuar një proces transparent dhe të besueshëm të ndarjes së granteve, duke kontribuar në mbrojtjen e fondeve publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Po ashtu, Kusari-Lila ftoi të gjithë qytetarët dhe bizneset që janë përballur me persona që janë prezantuar si zyrtarë të Ministrisë ose kanë pretenduar se mund të ndikojnë në vlerësimin e aplikimeve në këmbim të parave apo favoreve, që ta raportojnë rastin përmes linjës zyrtare +383 46 311 000 ose duke iu drejtuar drejtpërdrejt MINTI-t.

Sipas njoftimit, çdo informacion i pranuar do të trajtohet me konfidencialitet të plotë, ndërsa ministrja ritheksoi se fondet publike do të ndahen vetëm mbi bazën e kritereve, transparencës dhe ligjit, për bizneset që plotësojnë kushtet e përcaktuara në thirrjet publike.