Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, pasi të dhënat në SHBA treguan një rritje surprizë të rezervave gjatë javës së kaluar, të cilat kanë shtuar shqetësimet për ngadalësimin e rimëkëmbjes së kërkesës, në një kohë që rastet e reja me koronavirus vijojnë të rriten në shumë vende të botës. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 37.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 40 dollarë për fuçi.
Tregu i naftës po gjendet nën presion për shkak të rritjes së prodhimit dhe ngadalësimit të kërkesës. Referuar të dhënave jozyrtare në SHBA, rezervat e naftës u rritën me 3 milionë fuçi gjatë javës që u mbyll më 4 shtator, ndërsa investitorët po presin të dhënat zyrtare nga Administrata për Informimin mbi Energjinë, që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme. Analistët parashikonin një rënie të rezervave me 1.4 milionë fuçi. Njëkohësisht, administrata amerikane e uli parashikimin për rritjen e kërkesës për naftë, gjatë këtij viti, me 210 mijë fuçi në ditë, në totalin e 8.32 milionë fuçive në ditë. Ndërkohë, investitorët po presin edhe takimin e OPEC+, që zhvillohet më 17 shtator. Aktualisht, ky grup po respekton marrëveshjen për uljen e prodhimit me 7.7 milionë fuçi në ditë, e cila do të jetë në fuqi deri në fund të vitit./Scantv/