Paratë e gatshme do të duhen edhe për një kohë të gjatë, kështu thotë shefi i kompanisë zvicerane Orell Füssli që prodhon kartëmonedha, Daniel Link.
Prodhimi i kartëmonedhave po rritet çdo vit me nga 4 për qind në të gjithë botën, është shprehur Link të mërkurën në konferencën e investitorëve “Investora” në Cyrih.
Kreu i kompanisë sheh faktorë të ndryshëm për këtë rritje, përcjell Albinfo.
Nga njëra anë, që nga viti 2008 paraja ka fituar rëndësi si një lloj “depoje me vlerë”, ndërsa nga ana tjetër, një e treta e njerëzve në botë nuk kanë një llogari bankare dhe prandaj varet nga paraja e gatshme.
Në përgjithësi, 80 për qind e popullsisë së botës vazhdon të përdorë akoma para në dorë.
Kërkesa për kartëmonedha është pra e shëndetshme, ka shtuar shefi i Orel Füssli.
Në të njëjtën kohë, pandemia COVID-19 ka treguar gjithashtu se ka kërkesë në rritje për valutat dixhitale.