Paraja humbi shkëlqimin në pandemi, por jo në Zvicër, aty ende mbretëron

Sipas një studimi të Bankës Kombëtare Zvicerane, paraja nuk e ka humbur ende shkëlqimin në Zvicër, edhe pse qytetarët e pasur të vendit gjatë pandemisë kanë përdorur shumë kartat e debitit dhe aplikacionet e ndryshme për pagesa online.

Rreth 43% e pagesave në supermarkete dhe restorante bëhen me para cash, instrumenti më i përdorur i pagesave, sipas studimit. Por paraja cash ka humbur një pjesë të shkëlqimit, sepse ajo ka rënë nga niveli 70% që ishte në studimin e fundit të SNB në 2017.

“Për sa u përket numrit të pagesave të bëra, paraja cash vazhdon të jetë instrumenti i pagesave që përdoret më shpesh nga popullata zvicerane”, tha nënkryetari i Bankës Kombëtare Zvicerane, Fritz Zurbruegg, edhe pse krahasuar me 2017-n ajo ka rënë ndjeshëm. Pandemia e koronavirusit është nga faktorët kryesorë që ka nxitur shumë zviceranë të kalojnë nga pagesat me para cash tek ato nëpërmjet kartave apo aplikacioneve të pagesave online.

Reklama e sponzorizuar

Tani, një e treta e pagesave bëhet nëpërmjet kartave të debitit, nga 22% katër vjet më parë, ndërkohë që edhe kartat e kreditit gjithashtu po bëhen gjithnjë e më të përdorura. Aplikacionet e pagesave si Twint dhe Paypal përbëjnë 5% të transaksioneve në Zvicër, nga pothuajse asnjë në 2017. “Metodat e pagesës jo nëpërmjet parasë cash… janë konsideruar, të paktën pjesërisht, si më të lehta për t’u përdorur”, thuhej në studimin, i cili u krye midis gushtit dhe nëntorit të vitit 2020.

Rritja e blerjeve në internet ka rritur përdorimin e kartave dhe aplikacioneve të ndryshme gjatë pandemisë. Edhe pse zviceranëve mund t’u zbehet dëshira për të përdorur para cash, numri i kartëmonedhave në qarkullim është në rritje. Kjo tregon që paraja cash po përdoret gjithnjë e më shumë si një depozitim me vlerë, shkruan SNB.

Raporti vlerësoi se individët kanë depozituar rezervat e parave cash prej rreth 10 miliardë franga ose 12% të kartëmonedhave në qarkullim. Rreth 70% e popullsisë mban para cash në shtëpi ose në një kuti depozite, me pjesën më të madhe (77%) që mbajnë deri në 1.000 franga për të qenë të përgatitur për ndonjë shpenzim të paparashikuar. SNB tha se normat negative të interesit të Zvicrës nuk ishin një faktor sepse shumica e njerëzve nuk ishin prekur drejtpërdrejt prej tyre. /Reuters/