Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka pritur sot në takim përfaqësues të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të prirë nga Shaban Kajtazi, me të cilët ka diskutuar lidhur me angazhimet e MPMS-së për jetësimin sa më parë të kërkesave të pensionistëve.
Në ketë takim, ministri Reçica theksoi se ka dëgjuar nga afër shqetësimet e arsyeshme të tyre rreth vonesave të paarsyeshme nga institucionet tona përkatëse, si dhe mungesës së vullnetit politik për miratimin e nismave ligjore që e përmirësojnë dukshëm mirëqenien e pensionistëve.
“Përfaqësueseve të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, i shpreha vendosmërinë dhe përkushtimin tim për miratimin sa më parë të të gjitha akteve ligjore të cilat ndikojnë në mirëqenien e të gjithë qytetarëve, veçmas plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Shtetit, që i hap rrugë njohjes së stazhit të punës për punonjësit e larguar me dhunë gjatë viteve të 90-ta nga pushteti serb”, theksoi ministri Reçica.Në fund të këtij takimi, Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, ministri Reçica i ka shprehur gjithë gatishmërinë e tij dhe të MPMS-së, dhe se në asnjë moment nuk do të lejojnë që të nëpërkëmben të drejtat e kësaj kategorie shoqërore shumë të respektuar.