Rëndësia e auditorit dhe kontabilistit për bizneset

Roli i kontabilistit profesional dhe auditorit është tejet i rëndësishëm për faktin se ngrit dukshëm nivelin e besueshmërisë së raportimit financiar tek palët e treta, rrjedhimisht krijon qasje më të lehtë në burimet e financimit.

Por sa është duke u kuptuar kjo nga bizneset në Kosovë?

Instituti IKAF është shoqatë e licencuar për përgatitjen dhe licencimin e auditorëve dhe kontabilistëve.

Reklama e sponzorizuar

Bujar Krasniqi, Drejtor Ekzekutiv në IKAF, thotë se në Kosovë rëndësia e kontabilistit dhe auditorit më shumë është pjesë e kërkesave ligjore se sa vetë-kuptueshmëri e biznesit.   

“Ekziston mungesë e vetëdijësimit të plotë të bizneseve për rolin përmbajtjesor të kontabilitetit dhe auditimit”, vlerëson Krasniqi.

Ndërsa auditori Bezad Halilaj, shpjegon rëndësinë e angazhimit të kontabilistëve dhe auditorëve nga ana e bizneseve.

“Në rend të parë, kontabilisti ndihmon biznesin që të mund të kontrolloj dhe menaxhoj me lehtë dhe më mirë paranë e tij të investuar duke bërë, evidentime të qarta, barazime dhe harmonizime të sakta përmes së cilave në vazhdimësi e informon Menaxhmentin, por në veqanti pronarin në lidhje me paranë dhe pasurinë e tij. Gjithashtu, ndihmon në identifikimin e rreziqeve të ndryshme në lidhje me aspektet financiare që mund ta rrezikojnë biznesin”.

Në anën tjetër, sipas Halilajt, kontabilisti ndihmon në raportimin financiar të biznesit, ndërkohë që raportimi i drejtë financiar siguron transparencë dhe llogaridhënie në lidhje me menaxhimin e fondeve, të hyrave, pasurive, detyrimeve dhe kategorive tjera të pasqyrave financiare.

Ndërsa, angazhimi i Auditorit, siguron cilësi të raportimit financiar, i ndihmon pronarët duke iu dhënë siguri se paraja e tyre është duke u shpenzuar si duhet dhe pasuria është duke u përdorur dhe menaxhuar mirë.

“Në kontekst të përfitimeve publike, angazhimi i kontabilistëve dhe auditorëve e rrit nivelin e përmbushjes së detyrimeve tatimore, ndikon në parandalimin shmangieve dhe evazionit fiskal si dhe të mundësive për mashtrime dhe parregullsi karshi kërkesave ligjore, etj. Gjithashtu, pasqyrat financiare cilësore, të bazuara në standarde rrisin nivelin e llogaridhënies dhe transparencës në lidhje me përdorimin dhe menaxhimin e fondeve publike. Auditorët dhe Kontabilistët e pavarur dhe profesionistë mund të ndihmojnë në parandalimin e korrupcionit dhe pastrimit të parave”. /Buletini Ekonomik/