BQK anëtarësohet në Organizatën për Mbrojtje të Konsumatorëve Financiarë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) njofton se është bërë Anëtare e Asociuar në Organizatën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit Financiar (FinCoNet), një organizatë që promovon praktikat më të mira ndërkombëtare për të siguruar që produktet dhe shërbimet financiare të jenë të drejta, transparente dhe në përputhje me standardet globale të mbrojtjes së konsumatorit.

Anëtarësimi në FinCoNet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të BQK-së si autoritet mbikëqyrës në avancimin e kornizës për mbrojtjen e konsumatorit financiar, me theks të veçantë në mbikëqyrjen efektive të sjelljes së tregut të institucioneve financiare.

Përdorimi i standardeve ndërkombëtare dhe rekomandimeve të FinCoNet do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e qasjes mbikëqyrëse të BQK-së ndaj praktikave të sjelljes së tregut, duke fuqizuar mbrojtjen e konsumatorëve financiarë dhe duke ndërtuar një sistem financiar më të drejtë dhe të qëndrueshëm.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, përmes anëtarësimit në këtë organizatë, BQK do të përfitojë nga ekspertiza dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në zhvillimin e mëtejmë të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit si një funksion i ri i shtuar me strukturën e re organizative. Kjo përfshin përforcimin e metodave të avancuara për monitorimin dhe analizimin e sjelljes së institucioneve financiare, si dhe përmirësimin e transparencës dhe mbikëqyrjes për mbrojtjen e konsumatorëve.

Nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitetet e FinCoNet, përfshirë trajnimet, studimet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare, BQK do të ketë mundësi të zhvillojë më tej standardet vendore në përputhje me Parimet e Nivelit të Lartë të G20/OECD për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit, duke i përshtatur këto parime, gjatë hartimit të kornizës rregullative të tregut financiar të Kosovës.

FinCoNet, me seli në Francë, është një organizatë ndërkombëtare e autoriteteve mbikëqyrëse me përgjegjësi për mbrojtjen e konsumatorëve financiarë. Aktualisht ka 36 anëtarë, përfshirë Banka Qendrore dhe Autoritete Mbikëqyrëse të shteteve të zhvilluara si Gjermania, Franca, Italia, Holanda, ose Kanadaja, dhe sekretariat i saj është Organizata Për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

“BQK në pajtim me planin strategjik mbetet e përkushtuar në avancimin e projekteve që promovojnë mbrojtjen e konsumatorit, gjithë përfshirjen financiare dhe rritjen e besimit të qytetarëve në tregun financiar, përmes forcimit të transparencës dhe qasjes së drejtë në shërbimet financiare”, njofton BQK.