Vaji, sheqeri, pastat, uji dhe veshjet sportive, kanë qenë produktet më të kërkuara për konsum në Kosovë përmes shërbimeve online gjatë kohës së pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.
Pandemia ka pasur ndikim te njerëzit për t’i edukuar për blerjet përmes internetit, pasi kërkesa e konsumatorëve për blerjen e produkteve në këtë formë është rritur dukshëm, thonë autoritetet kompetente dhe përfaqësues të kompanive që merren me këto shërbime.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, rritja e transfereve të iniciuara përmes e-banking (online) është 3. 2 për qind ose për mbi 76 milionë euro më shumë në periudhën janar-qershor, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
“Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, vlera e mjeteve nga shërbimet online brenda Kosovës ka arritur në mbi 2. 4 milionë përderisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka qenë mbi 2.3 milionë euro”, thuhet në një përgjigje të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Kompania “Gjirafa” konsiderohet platforma më e madhe tregtare e blerjeve online në Kosovë, me mbi 140 mijë produkte nga kategori të ndryshme. Në këtë kompani, biznese të ndryshme që operojnë në Kosovë, ofrojnë produktet e tyre për të shitur në formë elektronike. Klienti mund të paguajë pasi që pranon porosinë me para në dorë, përmes kartelës bankare apo transferit bankar.
Cahani: Blerjet online janë rritur qind për qind
Udhëheqësi i kësaj kompanie, Mërgim Cahani, thotë se në Kosovë blerjet online nga qytetarët janë rritur qind për qind. Ai shprehet se pandemia ka krijuar blerës të rinj për të blerë produkte në këtë mënyrë.
“Kjo ka qenë diferenca më e madhe që ka bërë rritjen e shitjeve online. Ne edhe para pandemisë kemi pasur një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve të shitjeve online. Por, tash ka shumë klientë, apo përqindja e njerëzve që blejnë online para dhe pas pandemisë ka ndryshuar. Kemi pasur edhe një numër të ri të prodhuesve dhe kompanive në Kosovë, deri në 30 për qind më shumë, që kanë ofruar produktet e tyre përmes platformës sonë”, tha Cahani për Radion Evropa e Lirë.
Një kompani tjetër që ka të krijuar platformën elektronike është “Maxi –Supermarket” në Prishtinë.
Zëvendësdrejtori i saj, Denis Krasniqi, thotë se shuma e blerjeve online gjatë kohës se pandemisë është katërfishuar.
Trendi i blerjeve online nga qytetarët e Kosovës, sipas tij, u rrit dukshëm pas masave të marra nga qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë, ku një ndër masat ishte edhe kufizimi i lëvizjes për qytetarët.
“Në fillim të pandemisë kemi pasur shpërndarje të produkteve vetëm për Prishtinën, kurse pas një muaji të pandemisë, kemi lansuar platformën për shpërndarje të produkteve në gjithë Kosovën. Megjithatë, 70 për qind të dërgesave i kemi në rajonin e Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Obiliqit”, shprehet Krasniqi.
Canhasi: Pandemia ka adaptuar njerëzit me shërbimet online
Pas vendosjes se masave mbrojtëse dhe mbylljen e aktiviteteve të shumë bizneseve në muajin mars nga qeveria, kur në Kosovë u paraqiten rastet e para me koronavirus, shumë kompani private për të mbijetuar, filluan të aplikojnë shërbimin online të produkteve të ndryshme, por edhe përmes rrjeteve sociale, pohojnë ekspertë vendorë të rrjeteve sociale.
Valon Canhasi, menaxher në kompaninë “Hallakate”, agjenci kjo për media sociale, në një bisedë për Radio Evropa e Lirë, thotë se ndikimi më i madh që ka pasur pandemia është se ka krijuar blerës për herë të parë në formën online dhe ka adaptuar njerëzit me këtë shprehi.
“Pandemia ka ndikuar në krijimin e shprehisë për të blerë online. Nëse njëherë blihet online dhe përjetohet ajo eksperiencë, atëherë shihet se është shumë më lehtë dhe shumë më thjeshtë për të blerë. Në anën tjetër, nevoja për të dalur dhe të shkohet në dyqan për ta parë dhe prekur produktin ende ekziston, kështu që ka një rënie të lehtë të blerjes online, por nuk është se nuk funksionojnë shërbimet online, por që njerëzit kanë pasur nevojë të dalin, të takohen me të tjerët dhe të ndërrojnë ambientin”, vlerëson Canhasi.
Blerje edhe më të mëdha përmes internetit pritet të realizohen për festat e fundvitit, thekson Canhasi.
“Të gjithë parametrat që sot po i shohim, tregojnë se shitja më e madhe do të jetë online. Për shkak të situatës në të cilën gjendemi me pandemi, parashihet që për festat e Halloween, (Nata e Shtrigave) Black Friday (E Premtja e Zezë), Christmas, (Krishlindjet) dhe festat e fund vitit, të ketë shitje përmes internetit më të madhe në histori ndonjëherë, pasi shumë njerëz do t’i ikin daljes për të blerë në dyqane”, tha Canhasi.
Dërgesat nga këto kompani te personi që i ka porositur mund të arrijnë brenda ditës apo javës.
Derisa janë rritur transferet online brenda Kosovës, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, për 42 për qind ka pasur rënie për blerjet me kartela online për produkte dhe shërbimet jashtë vendit.
Në këtë rënie, sipas BQK-së, kanë pasur ndikim kufizimet e lëvizjeve dhe mundësive për transport, rënies se pagesave për udhëtime dhe rënies së konsumit në disa kategori gjatë periudhës se pandemisë.