“Në vitin 2004, botës iu desh një vit i tërë për të instaluar një kapacitet prej një gigavati në energji diellore (1 GW është i barabartë me një miliard vat, ose një e mijëta e një teravati); në vitin 2010, u desh një muaj; në vitin 2016, u desh vetëm një javë,” ka transmetuar The Ekonomist. Në Kosovë, për ta ndërtuar një kapacitet të vetëm solar, edhe më tutje, edhe më 2024, nevojiten muaj e vite të tëra. Vendi ynë, ende pa asnjë kapacitet të vetëm energjetik në bazë të diellit…
Mehmet GJATA
Gjatë vitit 2023, qelizat diellore apo fotovoltaike të vendosura në panele diellore, që tani për tani mbulojnë më pak se 10,000 kilometra katrorë, prodhuan rreth 1,600 teravat/orë energji elektrike (një teravat, ose 1 TW, është i barabartë me një trilion vat), shkruan The Economist. Kjo përfaqësonte rreth 6% të energjisë elektrike të prodhuar në mbarë botën dhe pak më shumë se 1% të energjisë për përdorim parësor në botë. Gjatë vitit 2024, analistët në grupin e të dhënave Bloomberg NEF, parashikojnë se do të arrihet të instalohet një kapacitet prej 520-655 GW: pra, në një ditë të vetme, sa dyfishi i kapacitetit të prodhuar në gjithë vitin 2004.
Ajo që e bën energjinë diellore revolucionare, është ritmi i rritjes që e solli atë në këtë nivel.
“Michael Liebreich, analist i teknologjisë dhe ekonomisë së energjisë së pastër, e përmbledh në këtë mënyrë: në vitin 2004, botës iu desh një vit i tërë për të instaluar një kapacitet prej një gigavati në energji diellore (1 GW është i barabartë me një miliardë vat, ose një e mijëta e një teravati); në vitin 2010, iu desh një muaj; në vitin 2016, iu desh vetëm një javë” ka transmetuar The Ekonomist.
Kjo rritje e jashtëzakonshme ka ardhur nga ndërveprimi i tre faktorëve të thjeshtë. Kur industritë prodhojnë më shumë nga diçka, ato e bëjnë atë më të lirë. Kur gjërat bëhen më të lira, kërkesa për to rritet. Dhe kur kërkesa rritet, prodhohet më shumë. Në rastin e energjisë diellore, për një kohë të gjatë në fillim të këtij shekulli, kërkesa u krijua dhe u mbështet nga subvencionet shtetërore, më pas rënia e çmimeve u bë e dukshme dhe e parashikueshme. Përgjigjet pozitive që nxisin rritjen eksponenciale të kërkesës, u rritën në shkallë globale. Dhe nuk ka shenja ndalimi apo ngadalësimi.
Blerja dhe instalimi i paneleve diellore tani është kategoria më e madhe e investimit në prodhimin e energjisë elektrike, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), një “think-tank” ndërqeveritar: në këtë industri priten të investohen 500 miliardë dollarë këtë vit, e ngjashme me shumën që do të investohet në naftë dhe gaz. Kapaciteti i instaluar dyfishohet çdo tre vjet. Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Energjisë Diellore, energjia diellore pritet të prodhojë më shumë energji elektrike se të gjitha termocentralet bërthamore të botës në vitin 2026, më shumë sesa turbinat me erë në vitin 2027, sesa digat e hidrocentraleve në vitin 2028, sesa termocentralet me gaz në vitin 2030 dhe më shumë se ato me qymyr në vitin 2032. Sipas agjencisë IEA, nëse arrihet eliminimi i emetimit të dioksidit të karbonit nga mesi i shekullit, energjia diellore do të bëhet burimi më i madh i njerëzimit për energji parësore, deri në vitet 2040. Me konkretisht, energjia diellore po kthehet në faktor kyç dhe determinues i zhvillimit në të ardhmen në mbarë botën.
Por, ku gjendet Kosova aktualisht në ndërtimin e kapaciteteteve solare, pse po vonohet kaq shumë për ta pasur një kapacitet prodhues 100 megavatësh, që në suaza të kapaciteteteve të instaluara në botë, vlerësohet te kapacitetet e vogla, ose shumë-shumë mesatar dhe pse kaq shumë fjalë dhe kaq pak rezultate të arritura në këto vitet e fundit në ndërtimin e kapaciteteve të energjisë diellore, si një burim ndër më të rëndësishmit i parashikuar dhe vijëzuar si vizion për tejkalimin sa më të shpejtë të tranzicionit elektroenergjetik, të premtuara edhe nga Qeveria aktuale?
Ç’është e vërteta, në këto dy tre vjetët e fundit, janë bërë shumë premtime rreth ndërtimit të kapaciteteve solare në Kosovë, ka pasur edhe ide dhe vizione imponuese nga përfaqësues të shtetit, por nuk ka rezultate, nuk ka asnjë kapacitet të finalizuar dhe ka vonesa të theksueshme të realizimit të fare pak projekteve të nisura tashmë, ndërkohë që bota ka bërë revolucion kuptimplotë në arritjen e instalimit të kapaciteteteve solare, të cilat janë paraqitur në të dhënat e sipërshënuara të publikuara nga prestigjiozja The Ekonomist.
Më 12 maj 2023, Qeveria e Kosovës, më në fund, pas shumë vonesave, ka lansuar ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 megavatësh në vlerë 75 milionë euro. Lansimi i këtij ankandi ç’është e vërteta, ishte paraparë të bëhet që në fund të vitit 2022, por u shty pa shpjegime të bindshme nga zyrtarët disa herë. Dhe ky investim i synuar dhe i nisur më në fund, me të drejtë konsiderohej si pikënisje për një epokë të re të zhvillimit të Kosovës në burimet e ripërtëritshme.
“Shpalljen e këtij ankandi tonë të parë po e bëjmë në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë kur po marrim një ndër hapat kryesor drejt tranzicionit tonë të gjelbër dhe investimeve më të mëdha në sektorin tonë të energjisë, ndër dekada… Ky është hapi i parë, por shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, kushtet janë që të vijnë investitorët”, kishte thënë me këtë rast kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Por, as kryeministri e as ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe as zyrtarë të tjerë, më nuk e thanë asnjë fjalë rreth realizimit të këtij projekti (ku ka arritur ndërtimi i tij, pse po vonohet kaq shumë dhe përtej ritmeve të ndërtimeve të ngjashme në botë). Nuk dihet shumë as për fatin e ndërtimit të impiantit fotovoltaik diellor me kapacitet rreth 100 megavatësh, për çka Qeveria e Kosovës dhe Banka Evropiane për Investime (EIB), që më 18 mars 2024 kanë nënshkruar një marrëveshje investimi 33 milionë eurosh. Edhe me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky projekt do të kontribuojë në pavarësimin e Kosovës nga burimet tradicionale të energjisë.
“Projekti në fjalë parasheh ndërtimin e impiantit fotovoltanik në një kapacitet deri në 100 MW të prodhimit të energjisë elektrike. Rëndësia e këtij projekti qëndron në faktin se pas finalizimit të projektit, impianti do të jetë në gjendje të prodhojë deri në 160 gigavatë orë energji në vit, dhe të zëvendësojë mbi 170 mijë tonë të dioksidit të karbonit në baza vjetore. Kjo i kontribuon edhe më tutje pavarësimit të Kosovës nga përdorimi i burimeve tradicionale të energjisë, gjithashtu ja mundëson Kosovës që të përmbushë obligime përkitazi me agjendën e gjelbër të BE. Ky projekt, më i madhi i llojit të tij jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, garanton zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të energjisë si parakusht për rritje dhe zhvillim të qëndruëshëm të vendit”, kishte thënë Murati në mars të këtij viti, në ditën e nëshkrimit të marrëveshjes investive me EIB.
Ndërsa, shefja e Sektorit Politik në Zyrën e BE-së në Kosovë, Anna Carin Platon, pati theksuar me këtë rast se “Është projekti i parë solar në KEK…
“Është projekt shumë i rëndësishëm për shkak se ndihmon tranzicionin e KEK-ut dhe rajonit të Prishtinës dhe Obiliqit në rrugën drejt karbonizimit. Po ashtu do të mbështes strategjinë e energjisë që Kosova e ka miratuar dhe caqet për ngritjen e rritjes së burimeve të reja të ripërtitshme për burimet e reja të energjisë. KEK-u me këtë po e bënë hapin e parë për të diversifikuar portofolin e gjenerimin e elektricitetit… BE po ashtu ka financuar një mbështetje të pakos me energji me 75 milionë euro, që do t’i jap Kosovës qasje për subvencionet e grantit për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë e tyre dhe për bizneset që po ashtu kontribuon në kursimin e energjisë dhe përballueshmërinë e energjisë”.
Po kështu, edhe shefi për operime në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi nga Banka Evropiane për Investime, Matteo Rivellini, me këtë rast tha se ky investim përbën një hap në tranzicionin e energjisë në Kosovë drejt dekarbonizimit.
“Të kënaqur me këtë partneritet të ngushtë me koleget e KVF dhe BE që dëshmojnë se sa e rëndësishme është për Evropë Kosova dhe për Ballkanin perëndimor në përgjithësi. Investimi përfaqëson një hap kritik në tranzicionin e energjisë në Kosovë drejt dekarbonizimit… dhe agjendën e gjelbër të BE-së, traktatin e Komitetit të Energjisë, kërkesat e strategjisë kombëtare”, u shpreh ai.
Tani, kur vetëm pak ditë na ndajnë nga shtatori, ose kur nga 18 marsi kanë kaluar mbi 5 muaj të plotë, askush në Kosovë, së paku në opinionin e këtij vendi nuk di se në ç’fazë gjendet tani ky projekt. Sikur që nuk ka shumë informacione se si është duke ecur dinamika e realizimit të projektit të madh solar (kapacitet energjetik në bazë të diellit me fuqi të instaluar prej 70 megavatësh), me emërtimin “Solar4Kosova”.
Në fazën e paranisjes së këtij projekti nga autoritet e vendit thuhej se bëhej fjalë për një kapacitet solar në përmasa të mëdha diellore dhe që do të jetë jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK), dhe që do të ketë gjithanshëm të mirat e veta. Siç ishte thënë , Projekti “Solar4Kosovo’’ kishte për synim që krahas prodhimit të energjisë elektrike për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, t’i bashkangjitet edhe sistemit të ngrohjes qendrore aktuale të Prishtinës, duke i lidhur kështu lagjet e reja me ato që tashmë janë pjesë e rrjetit. Sipas zyrtarëve, kapaciteti i shtuar që synon shpërndarjen e nxehtësisë nga sistemi termik diellor në rrjetin e ngrohjes qendrore në Termokos, do të furnizonte 12 mijë familje ose 60 mijë qytetarë me ngrohje termike në qytetin e Prishtinës dhe në këtë mënyrë do ta reduktojë goxha shumë kërkesën për energji elektrike për qëllime të ngrohjes.
Lokacioni i përcaktuar nga Qeveria për ndërtimin dhe funksionalizimin e këtij projekti, atëherë ka qenë fshati Shkabaj në komunën e Obiliqit. Është theksuar nga zyrtarët se “Solar4Kosovo” do ta reduktojë edhe emitimin e dioksidit të karbonit për 40.000 tonë në vit. Ishte sqaruar gjithashtu se projekti pritet të kushtojë 64 milionë euro dhe pritet të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH. Dhe, tashmë sikur është harruar edhe ky projekt, i promovuar jo një herë nga autoritetet për kontributin e tij të pritshëm edhe në Strategjinë e Kosovës, gjithsesi të guximshme të Energjisë për periudhën 2022-2031 për të arritur kapacitete të rëndësishme në energjinë diellore deri në vitin 2031.
Siç dihet, objektivat kryesore të strategjisë energjetike të Kosovës përfshijnë reduktimin e emetimeve të gazrave serrë në sektorin e energjisë me një minimum prej 32% deri në vitin 2031, duke synuar të përmbushë së paku 35% të konsumit të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE) deri në të njëjtin vit, dhe nxitja e zhvillimi i kapaciteteve të reja të BRE. Këto përfshijnë 600 megavatë energji të erës, 600 megavatë energji diellore fotovoltaike (PV), 20 megavatë energji nga biomasa dhe të paktën 100 megavatë kapacitet prodhues. Strategjia synon gjithashtu të arrijë një kapacitet total të instaluar të BRE prej 16,002 megavatësh deri në vitin 2031. Deri më 2031 kanë mbetur diku rreth 6 vjet e sa muaj, dhe, pa dyshim që tani është pikëpyetje e madhe si do të realizohen këto objektiva me këtë dinamikë të deritashme të ndërtimit të kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme. /Buletini Ekonomik/









