Shpenzimet e larta operative nga kompanitë e sigurimit dhe mbipunësimi në këtë industri, sipas deputetit Hekuran Murati, janë dy arsyet kryesore që e kanë shtyrë Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) për shtrenjtimin prej 26 për qind të sigurimit të veturave.
Këto komente kreu i Komisionit për Buxhet dhe Transfere i bëri sot gjatë raportimit të drejtuesve të BQK-së në këtë komision, përcjell Buletini Ekonomik.
Murati ka cituar raportin e fundit të FMN-së mbi sektorin financiar në të cilin përmenden disa prej arsyeve që çuan deri të ky vendim, e që nuk janë përmendur më herët nga zyrtarët e BQK-së. Kjo e fundit në vendimin e saj ishte arsyetuar me çështjen e inflacionit, mirëpo në raportin e FMN-së, të cilin e ka cituar Murati në Komision, përmenden si arsye shkeljet e kompanive të sigurimit, sidomos tek pjesa e shpenzimeve operative.
“Raporti i FMN-së thotë se në Kosovë përqindja e humbjes e dëmeve që paguhen është 46.6 për qind e do të duhej të ishte 60 deri në 75 për qind. Bashkimi Evropian madje e ka edhe më të lartë, e ka 80 deri në 90 për qind. Kurse përqindja e shpenzimeve është 48.1 për qind që normalisht do të duhej të ishte e kundërta”, ka thënë Murati.
Sipas tij, në raportin e FMN-së po ashtu thuhet se këto shpenzime të larta operative vazhdojnë përkundër që BQK-ja ka miratuar rregullore, por që e njëjta nuk ka zbatim në praktikë.
Murati ka përmendur edhe një praktikë jolegale që ekziston në këtë industri e që ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve përtej kufizimeve të vendosura nga BQK.
“Po ashtu në raport thuhet që nuk ka ndonjë shpjegim të qartë, zyrtar, për përqindjen e ulët të pagesës së dëmeve edhe përqindjen e lartë të shpenzimeve operative. Megjithëse këtu raporti i thotë disa arsye për përqindjen e lartë të shpenzimeve operative, por thotë se mund të jetë si rezultat i incentivave që u jipen prej kompanive të sigurimit agjentëve për të rekrutuar klient të ri, e që në tregun tonë edhe tek populli njihen si pagesa nën tavolinë, për me fitu klient të ri, pra bëhet diçka ilegale edhe BQK e toleron këtë”, ka shtuar Murati.
Një arsye tjetër se pse janë shpenzimet operative të larta, ai thotë se është edhe për shkak të mbipopullimit të tregut në kompanitë e sigurimeve.
“U përmend këtu punësimet edhe të politikanëve edhe të familjarëve, por kjo edhe më e theksuar është edhe në industrinë e sigurimeve. Pra nëse nuk mundet dikush me u punësu në BQK, gjindet lidhja që punësohet në ndonjë kompani të sigurimit. Këto shpenzime, pra pagesat nën tavolinë, lufta e brendshme brenda llojit, edhe mbulimi i shpenzimeve operative për me i mbulu pagat e disa familjarëve të politikanëve nëpër këto kompani, rezultojnë në mospagesë të dëmeve të cilat pastaj, të cilat pastaj duhet me u siguru, duke e rritur tarifën e sigurimit të veturave me 26 për qind”.
Raporti FMN-së thotë Murati ka thënë që duhet të rishikohet tarifa, por po ashtu ka thënë që duhet të ulen shpenzimet operative tek kompanitë e sigurimit. /Buletini Ekonomik/